Në vitin e kaluar janë raportuar 67 raste të dhunimeve seksuale, përderisa për shtatë vjet kanë ndodhur mbi 350 raste, ndërsa mbi 70 për qind të dhunimeve seksuale i takojnë moshave nën 16 vjeç.
Prandaj për këtë çështje në kuadër së Ministrisë së Drejtësisë është duke u hartuar protokolli shtetëror për adresimin e dhunimeve seksuale, ka konfirmuar në një intervistë për Ekonomia Online, Nazlie Balaj, këshilltare në këtë ministri.
Sipas saj, ky protokoll ka për qëllim të mbrojë të drejtat e viktimave të dhunës seksuale, duke garantuar ofrimin e një pakete të plotë të shërbimeve për viktimën.
“Kah fundi i majit veç se do të startojmë me draftin e parë sa i përket draftimit të protokollit për adresimin e dhunimeve seksuale. Është shumë me rëndësi me theksuar se dy vitet e fundit jemi duke u ballafaquar me numrin në rritje sa i përket dhunimeve seksuale. Vitin 2020 në kohën e pandemisë kishim rritjen më të madhe sa i përket dhunimeve seksuale, vetëm në atë kohë kishim 67 raste, dhe kështu pasimi nga viti në vit. Na total në 7 vitet e fundit kemi mbi 350 raste të dhunimeve seksuale. Mbi 70 për qind të dhunimeve seksuale i takojnë moshave nën 16 vjeç. Institucionet relevante dhe përgjegjëse do të veprojnë mbas hartimit dhe aprovimit në një linjë të përgjigjes institucionale sa i përket dhunimeve seksuale në vend”.
Tutje ajo shtoi se shumë shpesh ndodh dështimi i rasteve në gjykata dhe prokurori në mungesë të provave dhe fakteve, prandaj ky protokoll do ta ketë parasysh ruajtjen e fakteve dhe provave gjatë procesit të ekzaminimit.
“Viktima është kryeqendra e këtij protokolli, dhe të gjitha shërbimet do ofrohen për viktimën, të gjitha institucionet janë rreth viktimës ndërsa viktima është vëmendja e institucioneve në ofrimin e shërbimeve. Kur i adresojmë dhunimet seksuale nuk e adresojmë vetëm një gjini, por pavarësisht se cilës gjini i ndodh. Dështimi i rasteve në gjykata dhe prokurori në mungesë të provave dhe fakteve sepse qysh në start nuk janë mbledh, janë dëmtua apo eliminuar, apo nuk janë marr fare parasysh, prandaj ky protokoll do ta ketë parasysh ruajtjen e fakteve dhe provave gjatë procesit të ekzaminimit”.
Sipas saj, ky protokoll do ta ketë edhe rolin e thirrjes së përgjithshme në momentin kur ndodh dhunimi në mënyrë që mos të humbin provat, raporton EO.
“Ky protokoll do ta ketë edhe rolin e thirrjes së përgjithshme në momentin kur ndodh dhunimi mos me prit 4 ditë, 5 ditë sepse humbin provat, por menjëherë me raportu rastin, dhe obligimet detyrat, përgjegjësitë e policisë, mbrojtësit të viktimave, prokurorit, gjykatësit, strehimoreve,karshi veprimit dhe shërbimit ndaj viktimës. Është një procedurë gjeneral e cila specifikon në detaje se kush çfarë detyre dhe përgjegjësie ka dhe nuk guxon rasti me dështua në momentin kur një hallkë e këtij zinxhiri del nga funksioni. Dhuna fizike, psikike, emocionale, seksuale, kontrolli shantazhi të gjitha këto do të detajohen përmes procedurave të protokollit”.