Shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me vendet e BE-së në periudhën janar-tetor zënë 64.2% të gjithë tregtisë.
Instituti i Statistikave publikoi sot raportin mbi tregtinë e jashtme, sipas të cilit eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 76.4% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 58.5 % të importeve gjithsej.
Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia me të cilën u kryen 32.7% e vëllimit të import-eksporteve, Greqia 7.2 %, Kina me 6.9% dhe Turqia 6.4%.
Pjesa më e madhe e eksportit të grupit “tekstile dhe këpucë” shkoi në tregjet italiane dhe ato gjermane, ndërsa mineralet kryesonin eksportet e mallrave shqiptare drejt Spanjës.
Sipas INSTAT eksporti i grupit “tekstile dhe këpucë” drejt Italisë në vlerë llogaritet për 10-mujorin rreth 70.3 miliardë lekë, ndërsa drejt Gjermanisë u eksportuan 5.6 miliardë lekë.
Për periudhën janar-tetor drejt Spanjës eksportet e grupit “minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” llogariten 12 miliardë lekë./atsh