Mbi 800 serbë konvertojnë targat ilegale në “RKS”

Prishtinë | 02 Nën 2023 | 08:44 | Nga Ekonomia Online

Ani pse ka skaduar afati në muajin prill, Qeveria e Kosovës ia ka dhënë edhe një shans atyre që posedojnë vetura me targa ilegale, për t’i konvertuar në RKS.

Sipas një komunikate të Qeverisë së Kosovës nga data 1 nëntor deri më 1 dhjetor është afati i fundit për riregjistrimin e automjeteve me targat serbe.

Me vendim të ri, parashihet që pas kësaj date, pronarët e mjeteve të pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori i vitit 1999 deri me datë 21 prill 2022, nuk do të kenë më mundësinë që këto mjete t’i regjistrojnë me targa RKS, të hyjnë apo të qarkullojnë në territorin të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, deri më tani, 805 vetura me targat ilegale janë konvertuar në ato RKS.

Këtë e kanë bërë të ditur nga Ministria e Punëve të Brendshme.

E numri më i madh i konvertimeve është në Komunën e Mitrovicës, thonë nga MPB.

“Numri i qytetarëve të cilët kanë konvertuar targat e tyre nga ilegale në RKS është 805, ku Komuna e Mitrovicës në veri ka pasur numrin më të madh të konvertimeve deri më sot. Regjistrimi bëhet në bazë të Udhëzimit Administrativ Nr.05/2022 për regjistrimin e mjeteve nga targat PR“, „KM“, „PZ“, „GL“, „UR“ , „PE“, „DA“ dhe „ĐA“ në targa RKS. Sipas Udhëzimit të lartëpërmendur regjistrimi bëhet në të gjitha Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve, pavarësisht vendbanimit të pronarit të mjetit apo vendqëndrimit”, thonë nga MPB

Ministria e Punëve të Brendshme në një përgjigje për Front Online ka ftuar qytetarët serb që të përfitojnë nga lehtësirat financiare për t’i konvertuar veturat në legale.

“Mirëpresim vullnetin e shtuar së fundmi dhe kërkesën nga qytetarët tanë të komunitetit serb për konvertim të tabelave nga ato ilegale në të Republikës së Kosovës. Ftojmë të gjithë qytetarët tanë, të cilët posedojnë mjete të pajisura me targa ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo“ĐA”, që të regjistrojnë mjetet e tyre me targa RKS dhe të përfitojnë nga lehtësirat financiare deri më 1 dhjetor 2023, pavarësisht vendbanimit apo vendqëndrimit që kanë, në të gjitha Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve”, thuhet në përgjigje e MPB-së për Front Online.

Ndaj vendimit për shtyrjen e afatit për riregjistrimin e automjeteve me targat serbe “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” në targa RKS, ka reaguar ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.

Ai ka thënë se një vendim i tillë vjen pas shumë kërkesave në Veri për t’i ndërruar targat nga “KM” në “RKS”.

“Ky vendim i Qeverisë vjen pas shumë kërkesave të qytetarëve kryesisht nga veriu i Kosovës, dhe si i tillë është edhe një dëshmi e pragmaticitetit të punës sonë, në përputhje me nevojat e bashkëqytetarëve tanë”.

Ndryshe, në territorin e Republikës së Kosovës vlerësohet se janë mbi 9 mijë vetura me targa ilegale.

Të ngjashme