Mbi 90 viktima e 160 të lënduar në Kabul, Biden: Nuk do të ndalim operacionin

Prishtinë | 27 Gus 2021 | 10:09 | Nga Ekonomia Online

Presidenti amerikan, Joe Biden nuk i fshehu dot emocionet në fjalimin e mbajtur pas sulmeve terroriste pranë aeroportit të Kabulit, ku humbën jetën të paktën 90 persona mes të cilëve fëmijë dhe 13 pjesëtarë të stafit amerikan. Biden tha se operacioni i evakuimit do të vijonte.

“U them atyre qe ndërmorën këtë sulm, dhe kujtdo që dëshiron ti bëjë keq Amerikës: Ne nuk do të falim, ne nuk do të harrojmë. Do t’iu gjejmë dhe do tiu bëjmë që të paguani.”

“Nuk do të pengohemi nga terroristët. Nuk do ti lejojmë ata të ndalin misionin tonë. Do të vazhdojmë evakuimet.”

Më shumë se 100 mijë njerëz janë evakuar deri më tani nga Afganistani i pushtuar nga talebanët në 15 gusht.

Por kaosi dhe dëshpërimi që ka përfshirë prej ditësh aeroportin, teksa qytetarë të tmerruar përpiqen të largohen sa më shpejt nga vendi, mori një tjetër dimension të enjten kur makthi më i madh u bë realitet.

Pak orë pas paralajmërimit të shërbimeve sekret për një sulm të mundshëm terrorist në zonë, dy shpërthime kamikazë tronditën Kabulin rreth orës 18 të pasdites. I pari shënjestroi Hyrjen Abbey, ku forcat amerikane dhe britanike verfikojnë dokumentat e personave që duan të largohen. Ai u ndoq nga të shtëna me armë, ndërsa pak minuta më vonë një shpërthim i dytë ndodhi në një hotel që përdorej nga zyrtarët britanikë.

Gjenerali i komandës qendrore amerikane, Frank Mckenize, konfirmoi humnbjet e jetëve në radhët e personelit të SHBA dhe paralajmëroi se mund të ketë sulme të tjera.

“Besojmë se dëshira e tyre është të vijojnë sulmet dhe ne presim qe të ketë të tjera. Po bëjmë gjithcka për të parandaluar sulmet.”

Përpos viktimave, mbi 160 persona mbetën të lënduar. Grupi xhihadist, ISIS-K, degë e Shteitt Islamik që vepron në Pakistan dhe Afganistan mori përsipër autorësinë. Të paktën 5 mijë njerëz besot se po presin ende të evakuohen ne aeroport e të tjerë po përpiqen të hyjnë atje.

Një numër vendesh, përfshirë, Kanadaja, Belgjika, Holanda dhe Danimarka i kanë ndalur operacionet, ndërsa Britania e Madhe tha se do të vijojë.

Të ngjashme