Në pikë-kalimet kufitare të Kosovës me Serbinë edhe mëngjesin e kësaj të diele kanë vazhduar pritjet e gjata, si pasojë e fluksit të madh të bashkatdhetarëve tanë, të cilët po kthehen në vendet e Evropës Perëndimore pas qëndrimit në Kosovë për festat e fundvitit.
Gjendja më e rëndë paraqitet paraqitet në pikën kufitare me Serbinë, në Merdar. Sipas informacioneve nga Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar, në këtë pikë kufitare, për të hyrë në Serbi po pritet deri në shtatë orë e gjysmë, ndërsa kolona e automjeteve është mbi dy kilometra.
Edhe në pikën kufitare te Dheu i Bardhë për të kaluar kufirin po pritet deri në dy orë e gjysmë, kurse kolona e automjeteve është deri në një kilometër, shkruan Telegrafi.
Ndërsa, në pikë-kalimin kufitar në Mutivodë për të kaular kufirin Kosovë-Serbi, po pritet deri në një orë.
Ndryshe, gjatë ditës së premte zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Isa Xhemajlaj, ka dhënë dy arsye se pse po shkaktohen këto pritje.
Ai tha se ka fluks të shtuar të mërgimtarëve që po lënë Kosovën, për shkak se të njëjtit gjatë të hënës kthehen në vendet e punës.
Po ashtu, fajtor për këto pritje ai tha se është edhe pala serbe për shkak të kontrolleve të gjata të tyre.
Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar ka njoftuar se të ghitha rrugët që shpiejnë te pikat kufitare janë të kalueshme.