Një aktivist i VV-së paska thënë se për Albin Kurtin i del edhe plumbit përpara. I dashur aktivist, lufta ka mbaruar para 20 viteve.
Këqyr mbill ndonjë trëndafil, kosit barin (nëse ke oborr), rri në shtëpi, laj duart dhe laje mendjen, thirr në telefon ndonjë mik që ke nga partitë tjera (shqiptar është edhe ai tjetri, armiku imagjinar)…
Ruaje ambientin, mendo pak për rolin tënd pozitiv në shoqëri, mos urre, gjej argumente të mira për të kundërshtuar, mbyte pasionin për të njollosur, mos e ndaj gjuhën nga zemra, gjeje drejtpeshimin e gjykimit, duaje liderin po aq sa të vërtetën, e deri te e vërteta arrin nëse nuk e përvetëson marrëzinë e tjetrit dhe nëse marrëzinë tënde nuk e nxjerr në pazarin digjital, mos u ngut me reagim të plumbtë pa të kaluar zemërimi, këqyr botën dhe këqyr veten, pas çdo dite të mërzitshme, o aktivist, vjen një ditë tjetër, besoji Apollonit, zotit të dritës, shërimit dhe urtisë.
Lëri plumbat, shoku aktivist.