Mbishkrime me mesazh urrejtës ndaj grupeve LGBTI+ janë parë në kampusin e Universitetit të Prishtinës, përkatësisht afër Bibliotekës Kombëtare. Nuk dihet se kush i ka shkruar ato, raporton Ekonomia Online.
Aty është shkruar “Kill the gays” që në gjuhën shqipe i bie “Mbytni homoseksualët”.
Blert Morina, drejtor ekzekutiv i organizatës “Qendra për Liri dhe Barazi” i tha Ekonomia Online përmes një përgjigje me shkrim se dënojnë çdo tentim për cenim të dinjitetit të çfarëdo komuniteti.
Sipas tij, gjuha diskriminuese është e papranueshme, duke kërkuar nga institucionet që të reagojnë menjëherë në këtë rast.
“Dënojmë çdo tentim për cenim të dinjitetit të çfarëdo komuniteti. Gjuha diskiminisuese është e papranueshme dhe shpie në thirrje për linçim. Prandaj në raste të tilla reagimi duhet të jetë i menjëhershëm nga institucionet përkatëse”.
Përderisa Marigona Shabiu nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR), tha se këto grafitë duhet që të largohen menjëherë dhe Policia të fillojë hetimet për rastin.
Madje ajo ka kërkuar që edhe rektori të dënojë rastin dhe që të gjithë studentëve të iu ofrohet siguri dhe gjithëpërfshije.
“Grafite të tilla janë jashtëzakonisht shqetësuese, të cilat bëjnë thirrje për vrasje të personave gay. Grafitet duhet të largohen menjëherë si dhe Policia duhet të inicioj rastin për hetime me urgjencë”.
“Gjithashtu, kjo gjuhë duhet të dënohet nga rektorati dhe nga të gjitha institucionet relevante. UP është vend i cili ju takon edhe studenteve queer, dhe si i tillë duhet të ofrojë siguri dhe gjithëpërfshirje për ta”.
Kjo shprehje e urrejtjes vjen pas një debati që e nxiti një shfaqje e bërë të premten e kaluar në Prizren në kuadër të DokuFestit.