Rreth një muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve, kryeministri i dorëhequr, Ramush Haradinaj, ka mbledhur kabinetin e tij, për të miratuar disa vendime që lidhen me buxhetin e Kosovës.
Mbledhja e ministrave, derisa është duke u pritur certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit, është duke u parë i paarsyeshëm nga njohës të ekonomisë dhe punës së qeverisë, raporton KTV.
Naim Gashi, ekonomist, thotë se Qeveria e dorëhequr do të duhej të ishte vetëm kujdestare e funksionimit të shtetit, e jo të merrte vendime që mund të ndikojnë në të ardhmen.
Një mbledhje e tillë, për Donika Eminin nga CiviKos, do të ishte e arsyeshme në rast të ndonjë situate emergjente.
Për dallim nga Gashi dhe Emini, analisti i politikave në Institutin GAP, Berat Thaçi, thotë se lëvizja e buxhetit mund të jetë e nevojshme.
Megjithatë, sipas Thaçit, Qeveria e udhëhequr nga Haradinaj nuk do të duhej të shfrytëzonte situatën e krijuar.
Në mbledhjen e 113-të me radhë, ekzekutivi i udhëhequr nga Haradinaj ka miratuar vendimin për kursimet dhe ndarjet buxhetore mes organizatave buxhetore për vitin 2019.
Ndër të tjera, në këtë takim të kabinetit qeveritar, është bërë e ditur, po ashtu, se brenda nëntë muajsh janë realizuar të hyra në vlerë prej 1 miliard e 676 milionë eurosh, ndërsa janë shpenzuar vetëm 269 milionë më pak, pra 1 miliard e 407 milionë euro.