Në një fond për funeralin e afrikano-amerikanit George Floyd janë mbledhur më shumë se 10 milionë dollarë, vetëm një javë pas vdekjes së tij gjatë arrestimit nga policia.
Fondi zyrtar përkujtimor për George Floyd i mblodhi saktësisht 10,113,200 dollarë nga 390,100 dhurues deri të martën pasdite, në kohën kur në shumë qytete të Shteteve të Bashkuara po mbahen protesta masive për këtë rast dhe kundër diskriminimit racor.
Kjo shifër është një ndër më të lartat që është mbledhur ndonjëherë përmes internetit në faqen “Gofundme”, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.
Fillimisht, ky fond ishte hapur me qëllimin për t’i mbledhur vetëm 1.5 milion dollarë, por shifra tashmë gati është shtatfishuar.
Ky fond u hap para shtatë ditësh nga vëllai i afrikano-amerikanit të vdekur, Philonise Floyd.
Këto të holla do të përdoren për mbulimin e shpenzimeve të funeralit, këshillimeve psikologjike, udhëtimet drejt gjykatave dhe për përkrahje të familjes së viktimës, përfshirë kujdesin dhe shkollimin e dy fëmijëve që i ka lënë pas vetes.