Grupi Parlamentar i Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku janë diskutuar zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë mbi rrjedhën institucionale pas Aktgjykimit të Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Sipas komunikatës, LDK vlerëson se aktgjykimi “ka sjellë qartësi të nevojshme juridike dhe ka rikthyer procesin në kornizën kushtetuese”, duke përcaktuar rrugën që institucionet duhet të ndjekin në vijim.
“Grupi Parlamentar i LDK-së riafirmon qëndrimin e tij të palëkundur për respektim të plotë të rendit kushtetues, funksionim normal të institucioneve dhe ruajtje të balancës demokratike në vend”, thuhet në komunikatë.
LDK thekson se çdo veprim politik në këtë fazë duhet të udhëhiqet nga përgjegjësia shtetërore dhe jo nga kalkulimet partiake, ndërsa kërkon që proceset institucionale të zhvillohen në frymë bashkëpunimi.
“LDK mbetet e përkushtuar për një zgjidhje që garanton unitet institucional, përfaqësim gjithëpërfshirës dhe shmang çdo tendencë për përqendrim të pushtetit në një dorë të vetme”, theksohet më tej.
Në komunikatë vihet theksi edhe te roli i Presidentit, për të cilin LDK konsideron se duhet të jetë figurë unifikuese dhe mbi palët politike.
“Çështja e zgjedhjes së Presidentit nuk mund të zgjidhet përmes improvizimeve procedurale, por vetëm përmes një marrëveshjeje të mirëfilltë politike, që siguron unitet institucional dhe balancë demokratike”, thuhet në reagim.
Sipas LDK-së, përgjegjësia për arritjen e kësaj marrëveshjeje i takon partisë së parë, ndërsa paralajmërohet se çdo dështim do të bartë pasoja politike, përfshirë edhe mundësinë e zgjedhjeve të reja.
“Në rast të dështimit dhe shkuarjes në zgjedhje, Lidhja Demokratike e Kosovës do të garojë e bashkuar, e qartë në vizion dhe e gatshme për besimin qytetar”, thuhet tutje në komunikatë.