Mblidhet Kryesia e AAK-së pas zhvillimeve në veri të vendit

Prishtinë | 14 Qer 2023 | 16:38 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka thirrur mbledhje të jashtëzakonshme të Kryesisë, pas rastit të kidnapimit në brendi të territorit të Kosovës, të tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe zhvillimeve të tjera në veri të vendit.

Mbledhja ka filluar rreth orës 16:00. Ndërsa pas përfundimit, në orën 17:00, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, do të ketë konferencë për medie, raporton Ekonomia Online.

Në një komunikatë shtypi, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se është thellësisht e shqetësuar për situatën e rëndë politike dhe të sigurisë në vend.

Kjo parti opozitare ka paraqitur këto 7 qëndrime:

  1. Kryesia AAK-së e dënon ashpër kidnapimin e tre policëve, duke e konsideruar si provokim të drejtpërdrejtë nga Qeveria në Beograd. Kërkojmë nga Presidenti i Serbisë, t’i lirojë menjëherë zyrtarët tonë policorë.
  2. Politikat e Albin Kurtit i konsideron si akte kundër Kosovës që e çojnë Kosovën buzë shkatërrimit, dezintegrimit, dhe forcimit të Asociacionit.
  3. Kryeministri i Kosovës, me qasjen e tij anti shtetërore, ka rrezikuar deri në pakthim krejt arritjet e përbashkëta të Kosovës me partnerët euro-atlantikë në projektin e ndërtimit të shtetit të Kosovës.
  4. Veprimet e tij avantureske në veriun e Kosovës, dhe shpërfillja e miqve tanë euro-atlantikë, në krye me ShBA-në, kanë rezultuar me sanksione dhe përshkallëzim deri në kufi të konfliktit të hapur.
  5. Reagimi me vonesë i kryeministrit për çdo situatë të krijuar, u pa si pabesi e Qeverisë ndaj partnerëve dhe ka bërë, që regjimi në Beograd, që është shkaktari kryesor i krizës në veri, të trajtohet si shtet i besueshëm e Kosova si fajtore.
  6. Duke marrë për bazë këto gabime dhe dëme që i janë shkaktuar vendit, kërkojmë nga kryeministri të dorëhiqet menjëherë dhe mos të rrezikojë vendin.
  7. Njëkohësisht, kërkojmë nga Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja që ta mbështesin Kosovën dhe popullin e saj në këto momente të vështira për gjetjen e zgjidhjes së vetme, që është zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, si garancë e sovranitetit dhe subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.

LEXO EDHE:

Të ngjashme