Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka pritur sot në takim udhëheqësin e projektit të GIZ-it “Planifikimi Hapësinor dhe Menaxhimi i Tokës në Kosovë”, Michael Becker dhe Vjollca Limani – Xhemaj udhëheqëse e komponentës së menaxhimit të tokës në projekt, me të cilët ka diskutuar për zhvillimet e përgjithshme në sektorin e bujqësisë, e në veçanti u bisedua lidhur me projektin e financuar nga qeveria gjermane dhe i implementuar nga GIZ në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës.
Ministri Peci vlerësoi se projektet e përbashkëta të GIZ-it dhe MBPZhR-së kanë dhënë rezultate të mira dhe shfaqi gatishmërinë për bashkëpunim të mëtutjeshëm, në veçanti në hartimin e koncept dokumentit për rregullimin/ konsolidimin e tokës, i cili sipas tij ka rëndësi të madhe për zhvillimin e mëtutjeshëm të sektorit të bujqësisë në Kosovë.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i GIZ-së Becker, theksoi se janë të gatshëm për të ofruar bashkëpunimin e tyre në projekte të ndryshme që zhvillojnë sektorin e bujqësisë në Kosovë dhe premtoi se Qeveria Gjermane përmes GIZ-së do të vazhdojë të mbështesë MBPZHR në rishikimin e kornizës ligjore për Konsolidimin e Tokës, duke synuar mbrojtjen e tokës bujqësore, sjelljen e përfitimeve ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm në Kosovë.