Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe GIZ Kosova, kanë mbajtur sesion informues rreth skemës së granteve me fermerë, përfaqësues nga bujqësia dhe turizmi në komunën e Prizrenit, raporton Ekonomia Online.
Kjo skemë e granteve, e cila është mundësuar në bashkëpunim me qeverinë gjermane dhe ministrinë e Bujqësisë, do të jetë në vlerën e mbi 21 milionë eurove dhe do të jetë i ndarë në tre lote e që do të jetë për zhvillimin e agroturzimit, zhvillimit rural dhe eko-turizimit.
Sekretarja e Përgjithshme e Ministrit së Bujqësisë, Venera Çerkini, ka theksuar se përmes këtij projekti synojnë zhvillimin dhe transformimin e zonave rurale të Kosovës, si dhe zhvillimin e qëndrueshëm brenda sektorit bujqësor.
“Skema e granteve 2024-2027, është një projekt që do të realizohet në partneritet me Qeverinë Gjermane dhe GIZ, me një investim prej 20.2 milionë euro dhe marrëveshja për këtë bashkëpunim është e ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës. Përmes këtyre granteve kemi qëllim mbështetjen financiare e teknike, dhe më e rëndësishmja një skemë e grantit të krijuar do të jetë për stimulimin e diversifikimit të aktiviteteve bujqësore”, ka thënë Sekretarja Çerkini.
Ndër tjerash, ajo ka treguar se përafërsisht dy të tretat e buxhetit tonë do t’i dedikohen ndërtimit të kapaciteteve dhe trajnimeve, duke siguruar që individët dhe agrobizneset të pajisen me aftësitë adekuate për aplikim dhe implementim të projekteve si fitues potencialë të granteve brenda kësaj skeme.
“Pjesa tjetër e buxhetit do të ndahet specifikisht për grante – mbështetje financiare që do të lehtësojnë investimet në diversifikimin e aktiviteteve ekonomike inovative në zona rurale gjatë katër viteve të ardhshme”, ka treguar Çerkini.
Gjatë sesionit të dytë informues të Skemës së Granteve 2024-2027 , Sekretarja Çerkini iu ka bërë thirrje të gjithë fermerëve dhe agro-ndërmarrësve që të përfitojnë nga kjo mundësi dhe të marrin pjesë në sesionet informuese, të cilat në ditët në vazhdim do të mbahen edhe në komunat tjera të Kosovës.
Edmond Gashi, Udhëheqës i Projektit në projektin për Promovimin e Ndërmarrësisë/GIZ Kosovo, falënderoi Ministrin Peci dhe bashkëpunëtorë të tjerë për punën që e kanë bërë deri më tani.
“Sot jemi mbledhur këtu dhe është për shkak se është sesioni i dytë me radhë për skemën e grandeve për sektorin e zhvillimit rural në Kosovë, meqë këtu e kemi kryesorin, Shpresim Domin i cili do ta bëjë prezantimin e granteve, por dua ta bëjë një falënderim për Ministrin Peci, Venerën dhe kolegët tjerë për punën që kanë bërë”, ka thënë ai.
Shpresim Domi, profesor nga Universitetin e Tiranës, prezentoj para të interesuarve projektin dhe kriteret që at duhet ti plotësojn për të aplikuar për te përfituar nga ky projekt.
Prezantimi i Skemës së Granteve 2024-2027 u bë nga Shpresim Domi i cili tha se kjo skemë përbehet nga tre lote duke treguar edhe shumat që ndahen për secilin lot.
“Skema e grantëve është ndërtuar bazuar në tri lote. Loti 1 maksimum i mbështetjes është 5000 euro, minimumi është 1500 euro e projektit. Pra projekti varion mes 1500 euro deri 5000 euro, 100 për qind mbështet subjekt aplikantin më këtë rast. Në lotin 2 mbështetja që ofrohet është 70 për qind e vlerës së projektit që ju do të propozoni për investim që do të bëni, minimumi i mbështetjes që merrni është 5000 deri në 50 mijë euro. Në lotin e 3 vlera e mbështetjes varion nga 50 mijë deri në 350 mijë euro, mbështetja e ofruar nga skema është 60 për qind e vlerës së projektit që do të propozoni për të bërë investimin”, ka thënë ai.