Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, ka filluar ekzekutimin e pagesave direkte për përfituesit në kuadër të Programit të Pagesave Direkte për vitin 2018. Deri më tani janë proceduar për pagesë 18,062 fermer, të cilët kanë përfituar subvencione në vlerë prej 12,592,730.70 euro.
Pagesat direkte kanë filluar të ekzekutohen për 11276 fermer përfitues të pagesave për sipërfaqet e mbjella me grurë, farë gruri, misër, thekër, elb, vreshta, lullediell, si dhe pemë e perime, në vlerë prej 7,282,028.95 euro. Po ashtu, për pagesë tashmë janë edhe 795 përfitues të pagesave për qumësht sipas cilësisë dhe therrjet e raportuara të gjedhit për tremujorin e parë të vitit 2018, në vlerën totale prej 471,707.92 euro.
Pagesat, po ashtu janë në proces të ekzekutimit edhe për 5991 përfituesit e subvencioneve për lopë, buallica qumështore, dele, dhi, bletë, pula, dosa dhe thëllënza, në vlerën totale prej 4,838,993.50 euro. Me këtë konstatojmë se deri më tani janë autorizuar për pagesë mbi 55 për qind të të gjithë aplikuesve për pagesa direkte.
U.d i Kryeshefit Ekzekutiv të AZHB-së, Ekrem Gjokaj, ka thënë se kjo agjenci gjatë gjithë kohës së procesit vlerësues ka qenë dhe do të jetë transparente, me c’rast i ka informuar fermerët përmes sms-ve dhe vendimeve në e-mail, si dhe përmes ueb-faqes së AZHB-së për rezultatet lidhur me procesin vlerësues. Ai ka treguar se ka pasur rritje të numrit të aplikuesve e me këtë rast edhe numri i përfituesve sivjet ka qenë më i madh se viteve të kaluara.
Ndryshe, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në programin e sivjetmë ka paraparë subvencione për grurë, për farë gruri, për misër, për elbin, për thekrën, për luledielli, për lopë dhe buallica qumështore, për dele dhe dhi, për pulari, për bletari, për derrari, për thëllëza, për pemishtet ekzistuese, për perimet në fushë të hapur dhe në serra, për vreshtat ekzistuese, për bujqësinë organike, si dhe për fidanë të pemëve drufrutore dhe hardhi të rrushit. Po ashtu, subvencionim ka edhe për akuakulturën, therjet e raportuara të gjedhit, për qumështin sipas kategorive të cilësisë dhe për verën e prodhuar dhe të deklaruar zyrtarisht.