Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj dhe Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, kanë nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi, përmes të cilit Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar do të mbështesë projektet e përbashkëta për ofrimin e mësimit në distancë dhe digjitalizimin e sistemit të arsimit në Kosovë.
Për shkak të pandemisë, nënshkrimi i Memorandumit u bë gjatë një takimi virtual ku, përveç ministrit Likaj dhe Ambasadorit Abbott, morën pjesë edhe drejtori i British Council me Kosovë, Angus Bjarnason dhe Isuf Thaçi nga Instituti ATOMI.
Me këtë rast, ministri Likaj falënderoi Mbretërinë e Bashkuar, që si partner i Kosovës në fushën e arsimit, edhe në këto kohë të vështira po i del në ndihmë MASh-it dhe arsimit në përgjithësi.
Ministri Likaj u zotua se MASh do të kryejë të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë, të cilat i ka marrë përsipër me këtë Memorandum, në mënyrë që projektet të realizohen me sukses.
Projekti, i cili do të zbatohet nga Instituti ATOMI ka si fushëveprim Hartimin e Planit për Mësimin në Distancë për klasët 1-9, në rast se pandemia COVID-19 pamundëson vijimin e rregullt të procesit mësimor në objekte shkollore në shtator 2020, si dhe Hartimin e Strategjisë së Digjitalizimit të Arsimit, e cila do të përcaktojë bazat për digjitalizimin e sistemit arsimor dhe të proceseve ndërlidhëse të arsimit në Kosovë.
(Artikull i sponsorizuar)