Shefqet Gjocaj, drejtor i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” dhe ish-zyrtari e këtij Ansambli, tani i pensionuari Nazmi Demaj, janë mbrojtur në heshtje për akuzat që po iu vihen në barrë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
I akuzuari Gjocaj dhe i akuzuari Demaj kanë zgjedhur të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për t’u mbrojtur në heshtje për akuzën për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht në këtë seancë ka vazhduar dëgjimi i dëshmitarit, Feim Hoxha, udhëheqës i departamentit ligjor në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS).
Në pyetjet e prokurorit Bashkim Zeqaj, dëshmitari Hoxha tha se siç është përgjigjur edhe në seancën e kaluar opinioni ligjor i 20 dhjetorit 2018 është përpiluar nga zyrtari ligjor Betim Jahaj, në kuadër të Ministrisë së Kulturës, i cili sipas procedurës së rregullt kalon përmes tij.
Tutje, ai tha se opinione ligjore të dhëna nga departamentet ligjore të ministrive përkatëse nuk janë të karakterit obligativ dhe këtë sipas tij, e tregon edhe Rregullorja për shërbime ligjore qeveritare.
Po ashtu, dëshmitari Hoxha tha se ai nuk nënshkruan asgjë pa e kontrolluar dhe se zyrtarët ligjor në departamentin ligjor janë profesionist, andaj atë që opinioni i përpiluar nga zyrtari Jahaj ka qenë i përgjithshëm, pa u lëshuar në specifika konkrete dhe si të tillë e ka nënshkruar, sipas tij duke respektuar procedurën.
Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit së të akuzuarit Gjocaj, avokatit Avdullah Hoti, dëshmitar tha se është njohës i mirë i Rregullores për shërbime ligjore qeveritare dhe se opinioni i dhënë ligjor është në fushëveprimin e ministrisë përkatëse ku punon.
Por, trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësja Shpresa Hasaj-Hyseni e ka refuzuar pyetjen e avokatit Hoti se pasi që dëshmitari e njeh mirë këtë rregullore, të jep sqarime lidhur me nenin 21, paragrafi 1.4 të saj, me arsyetimin se nuk është objekt shqyrtimi kjo rregullore.
Në fund të dëshmisë së tij, Hoxha ka deklaruar se tani të akuzuarit i njeh si persona korrekt dhe të përgjegjshëm në raportet bashkëpunuese, i cili koment ka pasuar me vërejtje nga ana e prokurorit Zeqaj me arsyetimin se i njëjti nuk ka të drejtë të jap cilësime të personalitetit në këtë gjykim.
Ndryshe, gjatë kësaj seance trupi gjykues ka refuzuar propozimin e prokurorit Zeqaj që të ftohet në cilësinë e dëshmitares, Albina Murati si zyrtare ligjore në Ansamblin “Shota” lidhur me sqarimet për kontratat drejtuar drejtorit Gjocaj, me arsyetimin se një propozim i tillë ishte refuzuar në seancën e shqyrtimin të dytë, duke mbetur në fuqi vendimi i mëparshëm.
Seanca ka vazhduar edhe me leximin e provave të propozuara në aktakuzë si dhe është aprovuar propozimi i prokurorit Zeqaj që pjesa ku flitet për shkresat tjera të hiqet si fjali dhe të lexohet si provë sqarimi lidhur me kontratat e përpiluara nga zyrtarja ligjore Albina Murati.
Seanca e radhës është caktuar për 29 mars 2022, ku pritet të jepet fjala përfundimtare e palëve në procedurë.
Të akuzuarit Gjocaj dhe Demaj, në seancën e mbajtur më 24 dhjetor 2019, ishin deklaruar të pafajshëm për keqpërdorim detyre.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 27 nëntor 2019 ka ngritur aktakuzë ndaj drejtorit të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, Shefqet Gjocaj dhe ish-zyrtarit Nazmi Demaj.
Sipas prokurorisë, dy të akuzuarit në periudhën 2015–2018, duke keqpërdorur pozitën zyrtare, me qëllim të mundësimit të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për Ismet Bogujevcin, Xhemail Berishen dhe Luljeta Shala-Lushtakun, nuk kishin hapur konkurs publik, duke lidhur kontrata në mënyrë të kundërligjshme me ta si punëmarrës.
Në aktakuzë thuhet se Gjocaj, në cilësinë e drejtorit, në mënyrë të kundërligjshme kishte lidhur kontratë me punëmarrësit, Ismet Bogujevci, Xhemail Berisha dhe Luljeta Shala- Lushtaku, ndërsa Demaj po akuzohet se në mënyrë të kundërligjshme kishte lidhur kontratë për kohë të pacaktuar për kryerjen e punëve specifike me punëmarrësin, Xhemail Berisha.
Për këto veprime, dy të akuzuarit po ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.