Mbrohen në heshtje dy të akuzuarit për krim të organizuar me shitblerje të narkotikëve

| 27 Jan 2025 | 16:09 | Nga

Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë të akuzuarit Astrit Goqi dhe Luan Krasniqi janë mbrojtur në heshtje në rastin ku po akuzohen për krim të organizuar me shitblerje të narkotikëve.

Të akuzuarit Goqi dhe Krasniqi, njoftuan se pas konsultimit me mbrojtësit e tyre në këtë procedurë, dëshirojnë të shfrytëzojnë të drejtën e mbrojtjes në heshtje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, në këtë seancë gjyqtari i rastit Kushtrim Shyti, veçoi procedurën për të akuzuarin Halil Jonuzi, me arsyetimin se nuk mund të jetë prezent në seancë, pasi që është në vuajtje të dënimit në Gjermani,

Seanca vazhdoi me leximin e deklaratës së dëshmitarit bashkëpunues, Sërgjan Llomigora (i cili ishte i akuzuar në këtë rast), e dhënë në Prokurori.

Ndërsa, po ashtu në këtë seancë u dha edhe fjala përfundimtare e palëve në procedurë, ku prokurorja e rastit Merita Bina-Rugova deklaroi se pa asnjë dyshim është vërtetuar se të akuzuarit i kanë kryer të gjitha veprimet e përshkruara në aktakuzë.

Prokurorja theksoi po ashtu se faktet kryesore në këtë rast penal janë dëshmuar me prova materiale, ndërsa detajet e funksionimit të grupit kriminal i ka vërtetuar dëshmitari bashkëpunues.

Në fjalën përfundimtare, mbrojtësi i të akuzuarit Goqi, avokati Qëndrim Arifaj deklaroi se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor është vërtetuar se Prokuroria nuk e ka ofruar asnjë provë të vetme materiale, me të cilën do të vërtetonte që i mbrojturi i tij ka kryer apo ndërmarrë ndonjë veprim inkriminues, i cili do të ishte në kundërshtim me legjislacionin penal në fuqi.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Krasniqi, avokati Fisnik Bajoku tha se nga shqyrtimi i të gjitha provave të paraqitura u bë e qartë se nuk ekziston asnjë provë konkrete dhe e qëndrueshme që e lidhë të mbrojturin e tij me akuzën që i vihet në barrë.

Sipas avokatit Bajoku, aktakuza e ngritur nga Prokuroria ndaj të mbrojturit të tij bazohet ekskluzivisht në dëshminë e dëshmitarit bashkëpunues, sipas tij kjo dëshmi nuk gjen asnjë mbeshtetje në prova materiale apo fakt tjetër që do ta bënte të besueshme dhe të pranueshme këtë dëshmi.

Kujtojmë se në seancën e 18 tetorit 2024, u bë e ditur se i akuzuari Llomigora në këtë procedurë është edhe dëshmitar bashkëpunues në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë. Ndërsa, ndaj të akuzurit A.K është pushuar procedura, pasi që ka ndërruar jetë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 9 mars 2015 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), Astrit Goqi, A.K, Luan Krasniqi, Halil Jonuzi dhe Srgjan Llomigora akuzohen për krim të organizuar lidhur me shitblerjen e narkotikëve.

Aktakuza thotë se të njëjtit duke vepruar në bashkëpunim si një grup kriminal i strukturuar dhe i organizuar i shtrirë në territorin e tri shteteve, në Kosovë, Shqipëri dhe Serbi, me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare, pa autorizim kanë blerë, poseduar, shitur dhe transportuar substanca narkotike të llojit marihuanë.

Të ngjashme