Mbrohet në heshtje zyrtari i prokurimit, i cili po akuzohet për korrupsion

Prishtinë | 22 Pri 2024 | 14:44 | Nga Ekonomia Online

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën e së hënës, Sherif Hoti, i cili po akuzohet për korrupsion, është mbrojtur në heshtje.

Hoti po akuzohet se në cilësi të zyrtarit përgjegjës të zyrës së prokurimit, në Komunën e Obiliqit ka keqpërdorur detyrën zyrtare, duke lidhur kontratën për tenderin “Asfaltimi i rrugës Dardhishtë-Mazgit” me “Delta Ing Sh.P.K”., e që pronar i saj kishte qenë Emri Sopjani, duke qenë i dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Paraprakisht, në këtë seancë është bërë administrimi i provave materiale nga prokurorja Bukurije Gjonbalaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Hoti, avokati Arbër Jupolli për plotësimin e provave materiale ka propozuar që të administrohen disa ekzemplarë të njoftimeve për kontratë, ku në njërin ekzemplar tha se është Komuna e Ferizajt, në një tjetër Këshilli Gjyqësor i Kosovës, kurse në tjetrin Komuna e Graçanicës.

Ai tha se këto prova janë argument shtesë në pretendimin e mbrojtjes së në rastin e prokurimit konkret për të cilin akuzohet i mbrojturi i tij, nuk është vepruar ndryshe në asnjë rast më herët.

Propozimi për administrimin e këtyre provave materiale, u kundërshtua nga prokurorja Gjonbalaj, kurse u aprovua nga trupi gjykues.

Tutje, pasi që i akuzuari Hoti ka shfrytëzuar të drejtën e tij ligjore për t’u mbrojtur në heshtje, seanca ka vazhduar me dhënien e fjalës përfundimtare.

Prokurorja Gjonbalaj deklaroi se nga provat e siguruara në procedurën hetimore dhe provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, në mënyrë të plotë është vërtetuar gjendja faktike se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Ajo tha se mbrojtjen e të akuzuarit të dhënë në Prokurori, gjykata duhet ta marrë si të pabazuar dhe si përpjekje për t’i ikur përgjegjësisë penale.

Prokurorja mbeti në tërësi pranë aktakuzës, duke i propozuar gjykatës që të akuzuarin ta shpall fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Hoti, avokati Jupolli fjalën e tij përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim, duke shtuar se njoftimet të cilat i ka dorëzuar sot në cilësi të provave materiale, gjenden në ueb-faqen zyrtare E-prokurimi.

Ai tha se nëse shikohet periudha e vitit 2019, pra koha kur i mbrojturi i tij ka lidhur kontratën për të cilën akuzohet, vërehet se në të gjitha rastet pa përjashtim, në procedurë të prokurimit është kërkuar vetëm deklaratë nën betim, të cilën deklaratë gjykata e ka në shkresat e lëndës pasi është dhënë nga tre përfaqësuesit e kompanive pjesëmarrëse në konsorcium.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 30 mars 2022 kishte ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit Sherif Hoti, i cili në cilësinë e personit zyrtar përgjegjës të prokurimit në Komunën e Obiliqit, me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete apo për tjetrin kishte keqpërdorur detyrën zyrtare.

Sipas aktakuzës, i njëjti kishte nënshkruar më 24 maj 2019 kontratën me numër 027/2019 sipas tenderit me titull të projektit “Asfaltimi i rrugëve në fshatin Dardhishtë dhe Mazgit” të lidhur në mes të Autoritetit Kontraktues, Komunës së Obiliqit dhe kontraktuesit Fidaim Imeri, përfaqësues i grupit të Operatorëve Ekonomikë “Graniti Com”, sh.p.k, “Delta Ing”, sh.p.k dhe “ISPE Group” sh.p.k në vlerë prej 447 mijë e 833 euro e 3 centë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se edhe pse operatori ekonomi “Delta Ing”, sh.p.k nuk ka pasur të drejtë të marrë pjesë në aktivitetin e prokurimit ose në ekzekutimin e kontratës publike pasi që pronari i kësaj kompanie Emri Sopjani ka qenë i dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda me aktgjykimin e 19 majit 2017, duke vepruar në kundërshtim me nenin 65, par.3 të Ligjit të Prokurimit Publik të Kosovës kishte lidhur kontratën e lartcekur, me ç’rast e ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke i mundësuar personit tjetër – Emri Sopjanit dobi pasurore të kundërligjshme.

Me këtë, Hoti po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Të ngjashme