Massimiliano Allegri ka disa dyshime, dy ditë para finales së Kupës së Italisë kundër Interit, që kanë të bëjnë kryesisht me mesfushën dhe mbrojtjen.
La Gazzetta dello Sport raporton se trajneri i Juventusit ka marrë lajme të mira, pasi Luca Pellegrini mund të jetë në gjendje të startojë para Alex Sandros, megjithëse akoma nuk e ka marrë vendimin final.
Rikuperimi i Manuel Locatellit bën që Allegri të mendojë nëse do të luajë me dy apo tre mesfushorë dhe nëse ish-lojtari i Sassuolos do të ketë vend në formacionin bazë.
Si qëndrojnë gjërat deri më tani, Denis Zakaria dhe Adrien Rabiot pritet të startojnë në qendër të mesfushës.
Dyshimi final i trajnerit ka të bëjë me qendërmbrojtësit. Trajneri mendon të startojë me Matthijs de Ligt dhe Giorgio Chiellini, por në këtë rast duhet ta lë jashtë Leonardo Bonuccin – një tjetër vendim që akoma nuk është marrë dhe do të shqyrtohet gjatë të martës.
Finalja e Kupës së Italisë ndërmjet Juventusit dhe Interit zhvillohet të mërkurën (11 maj) në Stadio Olimpico të Romës.