Trupa mbrojtëse e ish-krerëve të UÇK-së, të akuzuar në Gjykatën Speciale, janë shprehur të shqetësuar me qasjen e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, lidhur me qëndrimet e tyre se ende nuk ka një datë të përcaktuar se kur pritet të nis gjyqi ndaj tyre.
Sipas tyre, në nëntor të vitit të kaluar, Zyra e Prokurorit të Specializuar, kishte kërkuar që gjyqi të nis këtë muaj, por tashmë asgjë nuk është gati, përcjell klankosova.tv.
”Keni marrë qindra dokumente me sa di unë”.
”Sa i përket materialeve që kanë të bëjnë me kërkesat për masa mbrojtëse, ne e dimë që ju keni dhënë afatin katër qershor, me disa prej kërkesave kanë të bëjnë edhe me materialet që janë dorëzuar kohëve të fundit. Me sa mora vesh nga avokatja e prokurorisë, këto materiale mund të jenë pjesë e kërkesave në të ardhmen”.
”Ne shprehim shqetësimin tonë, për dëshmitarët e ardhshëm shtesë, që do të vijnë. Sa i përket raportit të ekspertëve, duam të shprehim çudinë tonë se ende janë në përgatitje këto raporte të ekspertëve”.
”Në nëntor ZPS-ja na tha se nuk kishte arsye që gjyqi të mos fillonte në këtë muaj, dhe tani na thoni se ende janë në përgatitje tre raporte ekspertësh. Dhe nuk do të jenë gati për afatin e përcaktuar. Ne kërkojmë i nderuar gjykatës, që të përcaktoni një afat të përcaktuar për çfarëdo raporti ekspertësh që do të përdoret në këtë çështje, në mënyrë që mbrojtja të jetë plotësisht në dijeni të provave që do të dorëzohen”.