Mbrojtja e Salih Mustafës dhe përfaqësuesi i viktimave sot i thonë fjalët përfundimtare në Gjykatë

Prishtinë | 14 Sht 2022 | 08:08 | Nga Ekonomia Online

Të martën në Dhomat e Specializuara të Kosovë në Hagë, Prokuroria e dha fjalën përmbyllëse, në të cilën propozuan dënim me 35 vjet burgim për ish-eprorin e UÇK-së, Salih Mustafa.

Sot fjalët përfundimtare do t’i thonë mbrojtja e Mustafës dhe përfaqësuesi i viktimave.

Në ditën e parë të paraqitjes së fjalës përfundimtare të organit të akuzës dhe mbrojtjes, prokurori Cezary Michalczuk tha se Mustafa duhet të dënohet për disa vepra të rënda penale.

Ai tha se ish komandanti i UÇK-së, duhet të dënohet për  ndalim arbitrar, 10 vjet burg, për trajtim mizor 20 vjet burg, për torturë 25 vjet burg dhe vrasje 33 vjet  burg.

Ndryshe prej dje e për katër ditë me radhë, deri me datën 16 shtator, fjalën përfundimtare në këtë rast do ta paraqesë prokuroria.

Aktakuza e ngarkon Mustafën me përgjegjësi penale individuale dhe përgjegjësi penale si epror për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash, në regjionin Gollak të Kosovës. 

Sipas aktakuzës, afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe rreth fundit të prillit 1999, Salih Mustafa dhe disa ushtarë, policë e roja të UÇK-së paten të njëjtin qëllim të përbashkët të marrjes në pyetje dhe keqtrajtimit të të ndaluarve në kompleksin e ndalimit në Zllash.

Mustafa u arrestua dhe u transferua në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020. 

Paraqitja e provave në këtë çështje gjyqësore përfundoi më 20 qershor 2022.

Më 21 dhe 22 korrik 2022, Mbrojtja e Mustafës dhe Prokuroria i dorëzuan dosjet e tyre gjyqësore përfundimtare ndërsa dhënia e deklaratave përmbyllëse është paraparë të bëhet në periudhën nga 13 deri më 15 shtator 2022 dhe më 16 shtator si ditë rezervë.

Të ngjashme