Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se janë mbyllur komuna paralele të Serbisë, posta e zyre tatimore në dhjetë komuna të ndryshme, raporton Ekonomia Online.
Sot janë mbyllur Komunat paralele të Serbisë në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skënderaj, si dhe posta e zyre tatimore ilegale.
“Siç edhe jemi zotuar, nuk lejojmë asnjë paralelizëm e aq më tepër kriminal të Serbisë që të cënojë Kushtetutën e ligjshmërinë në vendin tonë. Me aksion të përbashkët, përfundon epoka e komunave dhe institucioneve paralele e kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës”, thuhet në postimin e Sveçlës.
Në videon e publikuar nga Sveçla shihet edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, i cili tha se “nga sot, 28 komunat paralele, kriminale të Serbisë në Kosovë dhe pesë qarqet e tyre mbyllen përfundimisht”.