Mbyllet Festivali i Filmave Malorë BANFF

Prishtinë | 12 Tet 2023 | 20:15 | Nga Ekonomia Online

Para një numri të madh adhuruesish të kinemasë dhe aventurës malore u mbyll mbrëmë Festivali i Filmave Malorë BANFF. Festivali i filmit për sportet malore dhe aventurën në natyrë, zbarkoi në Kino Armata në Prishtinë më 10 dhe 11 tetor nga BANFF Centre Mountain Film Festival në Kanada për të shfaqur një përzgjedhje  prej 15 filmash më qëllim të promovimit të sporteve malore, aventurës në natyrë, ekspeditave dhe aktiviteteve më mbresëlenëse të sportistëve të natyrës në botë.

Në fjalën e tij përmbyllëse, Besnik Shala, Drejtor i Festivalit BANFF u shpreh: Liria ishte temë e këtij edicioni të festivalit tonë. Liria për të eksploruar, për të qenë vetvetja dhe për t’u ngritë në këmbë për atë që është e drejtë!

Prezent në natën përmbyllëse ishte edhe delegacioni kanadez drejtuar nga Synthia Dodig, Komisionere Kanadeze për Tregëti. Në takim me komunitetin zonja Dodig u shpreh e impresionuar nga numri i madh i të interesuarve për sportet malore dhe kinematografinë e përquar nga sporti dhe ekspeditat në natyrë.

Këtë vit, BANFF shfaqi një program prej 15 filmash të metrazhit të shkurtë të ndarë në programet RED dhe BLUE, me 10 dhe 11 Tetor në Kino Armata. Filmat përfshinë sporte ekstreme si skijim, çiklizëm malor, alpinizëm, vrapim në shtigje malore, surf, ecje në litar, duke prekur edhe tema të lëvzijës së lirë, të drejtave të njeriut si dhe dashurisë për mjedisin. 

BANFF Mountain Film Festival organizohet në Banff (Alberta) të Kanadasë çdo vit që nga viti 1976. Prishtina është për herë të katërt nikoqire e turneut të këtij festivali përmes Banff Mountain Film Festival në Kosovë dhe rajon.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme