Mbyllet Galeria Kombëtare, konfirmohet një rast pozitiv me COVID-19

Prishtinë | 09 Qer 2020 | 18:36 | Nga Ekonomia Online

Stafi i Galerisë Kombëtare të Kosovës nga e marta është në vetizolim. Një punonjëse e këtij institucioni ka rezultuar pozitive në testin për COVID- 19. Për pasojë, në Galeri është ndërprerë puna për hapjen e ekspozitës “Bienalja ndërkombëtare e vizatimit”. E njëjta është shtyrë për 18 qershor.

Drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Agani nëpërmjet telefonit ka konfirmuar mbylljen e institucionit. Drejtoresha e Departamentit të Kulturës në Ministrinë e Kulturës, Jehona Shyti, ka thënë se menjëherë pas konfirmimit të rastit kanë rekomanduar vetizolim të punonjësve të Galerisë.

“Fatkeqësisht është konfirmuar një rast pozitiv dhe kemi rekomanduar vetizolim për rastet e kontaktit”, ka thënë Shyti.

Sipas saj, të njëjtën gjë e kanë rekomanduar për punonjësit e ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” pasi dyshohet se një punonjës i këtij institucioni mund ta bartë virusin. Bëhet fjalë për një familjar të ngushtë të punonjëses së Galerisë që ka rezultuar pozitive.

Stafi artistik I ansamblit “Shota” është në pushim. Por në rast se punonjësi i Ansamblit që ka shfaqur shenja klinike të virusit rezulton pozitiv, do të vetizolohet i gjithë stafi esencial.

Paraprakisht menaxhmeti i “Shotës” ka kërkuar që të testohen të gjithë punonjësit, por një gjë e tillë nuk është bërë.

Pos këtyre dy institucioneve, puna është duke vazhduar në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në Baletin Kombëtar të Kosovës, në Filarmoni e në Galerinë e Ministrisë së Kulturës.

Të ngjashme