Shpella e Gadimes është mbyllur vizitorët për shkak se ambientet e brendshme të saj janë aktualisht pa ndriçim, si pasojë e disa defekteve që janë paraqitur në kabllot e furnizimit me energji elektrike, transmeton Ekonomia Online.
Kështu ka bërë të ditur Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit te Kosovës përmes një njoftimi, sipas të cilit situata e krijuar është rezultat i sistemit të dobët elektrik dhe të ndriçimit jo adekuat.
Aty thuhet se është vlerësuar që shpella të qëndrojë e mbyllur derisa defektet të rregullohen për shkak të sigurisë dhe shëndetit të vizitorëve, derisa këtyre të fundit u kërkohet falje për situatën e krijuar.
“Ju kërkojmë falje vizitorëve për këtë situatë të krijuar, por vlerësojmë që këto kushte është më e rëndësishme që të rregullohen defektet dhe shpella të mbetet e mbyllur se sa të rrezikojmë sigurinë dhe shëndetin e vizitorëve”.
Ky agjencion bën të ditur se ekipet e elektricistëve janë duke punuar për të rikthyer ndriçimin, derisa presin që deri të martën e javës së ardhshme të sanohet problemi dhe shpella të hapet sërish për vizitorët.
“Ekipet e elektricisteve janë duke punuar ne gjetjen e defektit dhe përmirësimin e ndriçimit. Shpresojmë qe deri të martën (8 maj 2018) do të sanohet problem dhe shpella do të hapet për vizitorë. Në të kundërtën ajo do të jetë e mbyllur deri në rregullimin e plote të problemeve me ndriçim”.