Autoriteti Kombëtar Ushqimor ka vendosur sot të mbyllë restorantin ku u helmuan mbi 50 dasmorë nga Shijaku. Sipas AKU-së, restoranti do të qëndrojë i mbyllur deri në daljen e plotë të analizave, për të kuptuar se çfarë i helmoi dasmorët.
Mbi 50 dasmorë në Shijak janë helmuar nga ushqimi që hëngrën në lokal dhe kanë përfunduar në spitalin e Durrësit. Ata u paraqitën në spital me temperaturë të lartë dhe diarre dhe tani ndaj tyre ka nisur kurimi.
Policia e Durrësit bën të ditur se ka nisur procedimin penal ndaj shtetasit Dh.K. 57 vjeç, pronar i lokalit ku u helmuan dasmorët.
Ndërkaq, disa nga dasmorët që ishin më rëndë, të moshave 55, 32, 42, 49, 57, 43 vjeç, banues në Durrës, ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.