Mbyllet shkolla “Pjetër Bogdani”, në tri të tjera izolohen rastet pozitive

Prishtinë | 12 Tet 2020 | 19:31 | Nga Ekonomia Online

Regjistrimi i pesë rasteve të reja me Covid-19 në shkollën “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë, ka bërë që ky institucion të hënën të mbyllet. Përveç 3 mësimdhënësve, pozitivë kanë rezultuar edhe 1 nxënës e 1 punëtor teknik.

Drejtoresha e shkollës, Dafina Alaj-Miftari, ka thënë se janë në pritje të rezultateve për komplet klasën e nxënësit dhe shpresojnë të mos ketë më shumë raste, raporton KOHA.

“Me vendim të IKSHPK-së dhe të taskforcës në nivel shkolle është marrë vendim që të kalojmë nga skenari A në skenarin C me mësim online përmes platformës E-shkollori. Vendimi është për dy javë dhe pas dy javësh do të bëhet ritestimi i të gjithë stafit të shkollës”, ka thënë ajo.

Raste të reja me Covid të hënën janë regjistruar edhe në gjimnazin “Sami Frashëri”, në shkollën “Zenel Hajdini”, në medresenë “Alaudin” dhe në Shkollën e Gjelbër. Por në to do të ketë vetëm izolim të rasteve, meqë bëhet fjalë për nga një person të infektuar me virus.

Kryeministri Avdullah Hoti nuk është përgjigjur nëse mund të mbyllen sërish shkollat në rast se përkeqësohet situata me pandeminë, por ka thënë se do të veprohet sipas protokolleve në fuqi.

“Në atë moment që paraqitet një rast ndiqen protokollet e nevojshme që i kemi zhvilluar edhe brenda bashkë me IKSHPK-në dhe me Ministrinë e Shëndetësisë duke ndjekur edhe përvojën ndërkombëtare të OBSH-së”, ka thënë Hoti.

Sqarime se si do të veprohet nëse shtihen rastet në shkolla nuk ka dhënë as Ministria e Arsimit. Ky institucion nuk ka treguar as numrin e saktë të nxënësve e mësimdhënësve pozitivë me Covid.

Sipas udhëzuesit të MASH-it për organizimin e mësimit në kohë të pandemisë, mësimi online mund të realizohet vetëm nëse niveli i rrezikut nga Covidi është shumë i lartë dhe shpallet emergjencë për shëndetin publik.

Të ngjashme