Ministria e Kulturës dhe Informacionit e Arabisë Saudite ka njoftuar të hënën se autoritetet e vendit kanë mbyllur zyrën e televizionit nga Katari Al Jazeera në Arabinë Saudite.
Agjencia e lajmeve e Arabisë Saudite SPA ka bërë me dije se autoritetet kanë anuluar lejen e aktiviteteve të Al Jazeeras në Arabinë Saudite. Sipas SPA-së, ky vendim është marrë pasi “Al Jazeera ka popullarizuar planet e grupeve terroriste, ka mbështetur milicët e Lëvizjes Husi dhe ka dëmtuar sovranitetin e Arabisë Saudite, duke u përpjekur të krijojë përçarje brenda vendit.”, raporton Anadolu Agency (AA).
Ndryshe, në orët e para të ditës së hënë, Arabia Saudite, Bahreini, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti dhe Jemeni njoftuan për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Katarin, duke e akuzuar atë se “ka mbështetur terrorizmin”.