Prej muajsh po shohim një praktikë të rrezikshme: shqiptarët e Kosovës, gjatë kalimit nëpër Serbi, ndalohen dhe arrestohen pa bazë të qartë juridike. Kjo është cenim i sigurisë së qytetarëve tanë.
Në këtë situatë, thirrjet e liderëve të shtetit që “të mos kalohet në Serbi”, pa asnjë veprim konkret, krijojnë defetizëm dhe dërgojnë mesazh se shteti po tërhiqet nga përgjegjësia e vet.
Duke u mbështetur në të drejtën ndërkombëtare dhe në Marrëveshjen e Brukselit për lirinë e lëvizjes, vlerësoj që Kosova duhet ta shqyrtojë mbylljen e përkohshme të kufirit me Serbinë, derisa të ulen përfaqësuesit e të dy shteteve, me prezencën e SHBA-së dhe BE-së, dhe të rivendoset zbatimi real i lirisë së lëvizjes sipas marrëveshjeve ekzistuese.
Këto marrëveshje nuk flasin vetëm për dokumente dhe targa; thelbi i tyre është që qytetarët të kalojnë lirshëm dhe pa frikë, pa u ekspozuar ndaj arrestimeve selektive dhe presionit politik. Kur kjo frymë shkelet, Kosova ka të drejtë të ngrejë çështjen në nivel ndërkombëtar dhe të ndërmarrë masa të përkohshme mbrojtëse.
Në anën tjetër, e drejta ndërkombëtare i njeh shtetit detyrimin për të mbrojtur qytetarët e vet dhe i lejon masat kufizuese kur siguria e tyre rrezikohet. Parimi i reciprocitetit e përforcon këtë: nëse një shtet e përdor kufirin apo tranzitin si mjet presioni, pala tjetër ka të drejtë të përgjigjet me masa të arsyetuara dhe të përkohshme.
Prandaj, këtu qëndron thelbi: mbyllja e kufirit mund të duket masë drastike, por është mjeti i vetëm që e ekspozon qartë natyrën e vërtetë të këtij problemi serioz.
Deri më sot, asnjë apel, asnjë paralajmërim dhe asnjë deklaratë politike nuk ka prodhuar rezultat. Arrestimet kanë vazhduar sikur asgjë të mos ketë ndodhur.
Qytetari i Kosovës duhet të ndihet i sigurt kudo, edhe në tranzit. Derisa kjo të garantohet, mbyllja e kufirit me Serbinë duhet të jetë opsion real dhe serioz në tavolinë.