Sot është ndërprerë mësimi me prezencë fizike në shkollën fillore “Dardania” në Prishtinë, për shkak të të infektuarve me COVID-19.
Drejtori i këtij institucioni, Isak Bregaj, qysh në mëngjes u përballë me ankesa të prindërve që nuk po mund t’u asistojnë fëmijëve në mësimet online për shkak se janë në punë.
Këtë problem e kanë edhe prindërit e nxënësve të shkollës “Xhemajl Mustafa” në kryeqytet, sidomos ata që i kanë fëmijët në ciklin e ulët.
Për njohësit e arsimit, nëse fëmijët, sidomos ata më të vegjlit, nuk kanë dikë pranë vetes në procesin mësimor nga shtëpia, mësimnxënia nuk pritet të jetë aq cilësore.
Por, a do të merret ndonjë vendim që njëri prind apo kujdestari të lirohet nga puna nëse fëmiu i tij mëson me skenarin C, ende nuk dihet.
Antigona Baxhaku, drejtoreshë për informim në zyrën e kryeministrit, tha se janë në diskutime rreth kësaj çështjeje, porse ende nuk ka asnjë vendim zyrtar, veçse deklaroi se do të bëhet më e mira që fëmijët të marrin mësim sa më efektiv.