Mbi 17 mijë familje në Prishtinë kanë vendosur matës të energjisë termike, instalimin e valvuleve rregulluese termostatike, si dhe alokatoreve të energjisë termike, kjo falë mbështetjes së Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC). Me këtë investim qytetarët do të paguajnë për ngrohjen as sa shpenzojnë.
Për t’u njoftuar me ecurinë e projektit një delegacion i lartë i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), i shoqëruar nga ekipi Fondacionit të Mileniumit të Kosovës (MFK), të mërkurën janë takuar me kryeshefin ekzekutiv të Termokosit.
Petrit Selimi nga MCC-ja, u shpreh se janë mbi 17 mijë banesa që tashmë janë instaluar matësit dhe valvulat.
Sipas tij, konsumatorët tash e tutje do t’u mundësohet faturimi në bazë të konsumit e jo sipas hapësirës së matur me metra katrorë.
“Termokosi është partneri kryesor i MFK-së në projektin e efiçiencës energjetike jo vetëm të rrymës por edhe të ngrohjes ne e dimë që për shumë vite nëse kanë qenë ngrohtë në banesat e Prishtinës njerëzit i kanë hapur dritaret, me instalimet e matësve, valvulave në 17 mijë e 500 banesa në Prishtinë, banorët e Prishtinës do të kenë mundësi që koston ta kontrollojnë vetë”.
“Që nga dimri i ardhshëm ne do të vazhdojmë instalimet, këtë vjeshtë, dimrit në pranverë, ky projekt masiv do ta dixhitalizoj Termokosin do të krijoj një ndërmarrje super moderne dhe do të këtë benefite për qytetarët e Prishtinës që më në fund do të mund ta paguajnë aq sa shpenzojnë”, tha Selimi.
Kevin Mitchell, drejtor menaxhues i Operacioneve Sektoriale në MCC tha se janë të interesuar që paratë e investuara nga populli amerikan të përdoren në mënyrë që qytetarët e Kosovës të vazhdojnë të përfitojnë nga këto investime dinamike.
“Është e rëndësishme derisa bëjmë një përmbledhje rreth investimeve në prag të programit MCC që të sigurohemi se renovimet e vazhdueshme janë duke u kryer, kështu qe ne kemi ardhur këtu sot që të takohemi me përfaqësues të ‘Termokosit’ që të finalizojmë këto marrëveshje dhe plane, ashtu që paratë e investuara nga populli amerikan mund të përdoren dhe se qytetarët e Prishtinës dhe të Kosovës në përgjithësi të vazhdojnë të përfitojnë nga këto investime dinamike”.
“Ne jemi shumë të lumtur dhe të kënaqur me progresin në Kosovë dhe mendojmë se marrëveshjet pas programit janë të mjaftueshme, dhe të gjithë po shkojmë përpara”, tha ai.
Kryeshefi i Termokosit Fisnik Osmani tha se ky projekt është shumë i rëndësishme nga i cili qytetarët e Prishtinës do të paguajnë më pak faturat e ngrohjes në të ardhmen, raporton E.
“Sot kishim një vizitë një delegacion të lartë MCC-së në ngrohtoren e qytetit Termokos, e cila vizitë po i paraprin investimeve të mëdha të cilat po bëhen në fushën e energjisë termike në Prishtinë”.
“Termokosi është në fazën e saj më të rëndësishme në kuptim të investimeve të shumta të cilat po i merr, ndërsa projekti Heate Save i cili është kryekëput produkt financim, dizajnim i MCC dhe MFK në Prishtinë, po i jep funksion tjetër energjisë termike, funksionimit të saj dhe natyrisht jetës së qytetarëve të Prishtinës, për shkak që përmes këtij programi do të mundësohet që qytetarët e Prishtinës të paguajnë më pak fatura në të ardhmen në çfarëdo faze që ne do të mbërrijmë që ta implementojmë”, tha Osmani.