Ministria e Drejtësisë i ka reaguar Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) lidhur me miratimin e ligjit, duke e konsideruar si një ndërhyrje flagrante në kompetencat e Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.
“Reagimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, është në vazhdën e qasjes destruktive, veprimeve penguese dhe tendencave të vazhdueshme bllokuese të Këshillit Prokurorial madje është ndërhyrje flagrante në kompetencat e Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe ka për qëllim ruajtjen e status quo-së dhe vazhdimin e problemeve sistematike, tanimë të njohura për publikun dhe për të cilat shprehin të gjithë shqetësim”, thuhet në reagimin e ministrisë.
MD-ja ka kundërshtuar pretendimet e KPK-së se ligji cenon pavarësinë e tyre dhe ndërhyn në mandatin kushtetues, duke e cilësuar reagimin e KPK-së si i pavërtetë dhe pa baza ligjore dhe profesionale të argumentuara.
Ministria ka theksuar se procesi i hartimit të ligjit ka përfshirë konsultime të shumta me Komisionin e Venedikut, organizata të shoqërisë civile dhe partnerë ndërkombëtarë, si dhe përfaqësues të sistemit prokurorial dhe deputetë të Kuvendit.
“Ashtu si gjatë pjesëmarrjes në grupet punuese të Ministrisë së Drejtësisë, por edhe në diskutimet e fundit dhe amendamentet e shqyrtuara në Komisionin për Legjislacion të Kuvendit, reagimi i KPK-së nuk përmban as edhe një argument të vetëm se si ky ligj “cenon pavarësinë e KPK-së”, “ndërhyn në mandatin kushtetues” apo edhe “pamundëson funksionalizimin e KPK-së”, siç pretendohet në reagimin e KPK-së. Reagimi përveçse përmban të pavërteta e pasaktësi faktike, gjithashtu bazohet vetëm në konstatime dhe deklarata të përgjithshme që nuk janë të specifikuara e as argumentuara ligjërisht dhe profesionalisht e cila qasje dhe veprim bie në kundërshtim edhe me vet rolin dhe mandatin e KPK-së për bashkëpunim konstruktiv dhe kontribut profesional në përmirësim të sistemit të drejtësisë, në veçanti atij prokurorial”, thuhet tutje në reagimin e MD-së.
Ministria e Drejtësisë i ka bërë thirrje KPK-së “që të braktisë qasjen destruktive dhe tendencat penguese dhe të jetë një partnerë bashkëpunues me qëllim të jetësimit të plotë të reformës në drejtësi”.