MD-ja akuzon Prokurorinë Speciale për propagandë e manipulim në rastin Dehari

Prishtinë | 14 Pri 2022 | 10:10 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Drejtësisë ka akuzuar Prokurorinë Speciale për propagandë e manipulim në rastin e vdekjes së Astrit Deharit, ish-aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje.

Në një komunikatë për media të enjten në mëngjes, MD-ja ka thënë se kjo Prokurori po manipulon duke publikuar konkludime të pjesshme të ekspertizës plotësuese të Instituti zviceran e se “po tenton ta vrasë zbardhjen e drejtësisë”.

Komunikata e plotë e MD-së, pa ndërhyrje:

Drejtësia për Astrit Deharin, është sprova ku sfidohet sistemi i drejtësisë

Thirrjet qytetare “Drejtësi për Astritin”!, janë thirrje për triumf të drejtësisë. Drejtësia duhet të jetë e plotë, assesi e mangët. E qartë, assesi konfuze. E saktë, në hetimet e plota që duhet të kryhen dhe me ekspertizë shkencore.

Rasti i Astrit Deharit ka tronditur çdo qytetar të Republikës së Kosovës.​

Jemi dëshmitarë të gjithë, që kur u dha lajmi që Astrit Dehari nuk është më i gjallë, një sërë implikimesh të institucioneve, qofshin ato të drejtësisë, qofshin mediet e pushtetit të atëhershëm, u sulën për të trumbetuar “vetëvrasjen” e Astrit Deharit.

Pas më shumë se 5 vitesh, kur ky rast po vazhdon të hetohet, veçmas pas ekspertizës plotësuese të Institutit zviceran, Prokuroria Speciale e Kosovës, sërish me vrap del për të propaganduar njëanshëm rezultatin e këtij raporti, përmes një komunikate, që dëshmon për mangësi të theksuar intelektuale, mungesë totale të njohurive shkencore, gjuhë krejtësisht jo profesionale edhe qëllim dashakeq. Jemi të zhgënjyer me këtë qasje!

Ende pa e pranuar familja e Astrit Deharit raportin e Institutit zviceran, Prokuroria Speciale publikon 2 konkluzione dhe jo 5 sa janë në tërësi ato.

Nxitimi me komunikatë nga Prokuroria Speciale sikurse deklaratat e menjëhershme asokohe të kreut të policisë dhe të Prokurorisë Themelore në Prizren, në mënyrë të ngjashme na rikthehen sërish me deklarata të Prokurorisë Speciale, pa kurrfarë nevoje për këtë nxitim.

Kujt i kontribuon një manipulim i tillë, ku publikohen konkludime të pjesshme? Si munden organet e drejtësisë të jenë kaq tendencioze dhe selektive, veçmas një organ siç është prokuroria, e cila nuk guxon t’i shpërfillë asnjë nga hetimet që bëhen për asnjë rast të caktuar.

Astrit Dehari ka vdekur në duart e shtetit. Papërgjegjësia e organeve të shtetit ka prodhuar edhe këtë situatë të kobshme. Papërgjegjësia e sërishme e organeve, këtë rast e Prokurorisë Speciale, tenton të vrasë zbardhjen e drejtësisë.

Përkundër pengesave që kanë vendosur, individë apo grupe të ndryshme, të cilët tentojnë ende që të pamundësojnë zbardhjen e rastit Dehari, ato nuk mund ta sfidojnë në tërësi drejtësinë.

Ministria e Drejtësisë bën sërish të qartë, që në mandatin e saj, përbrenda kompetencave që ka do të ndërmarrë çdo hap, çdo veprim për të forcuar në njërën anë sistemin e drejtësisë dhe do t’i përgjigjemi secilës kërkesë për drejtësinë e plotë për Astrit Deharin.

Të ngjashme