Ekzekutivi në mbledhjen e radhës ka marrë vendim për themelimin e grupit për përgatitjen e analizës për themelimin e institutit për hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Propozimin e ka bërë ministri i Drejtësisë, Selim Selimi. Ai ka sqaruar se grupi punues do të këtë përgjegjësine përgatitjen e analizës për themelimin e Institutit për hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.
“Paraqes para jush për shqyrtim dhe aprovim propozim – Vendimin për Themelimin e Grupit Punues për Përgatitjen e Analizës për themelimin e institutit për hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë”.
“Një propozim të tillë e kemi votuar ditë me parë, por me rastin e aprovimit janë përvjedhur disa lëshime teknike, dhe pas konsultimeve me Kryeministrin, kemi vlerësuar se duhet propozuar sërish këtë çështje”.
“Grupi punues do të këtë përgjegjësine përgatitjen e analizës për themelimin e Institutit për hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, dhe Ministrisë së Drejtësisë do t’i paraqes analizën me opcionet që duhet ndjekur për themelimin e Institutit pë hulumtimin e krimeve të luftës në Kosovë”.
“Bazuar në rëndësinë dhe nevojën që ka dokumentimi i krimeve të luftës, themelimi i një mekanizmi për këtë çështje, është ndër prioritetet e mija si Ministër i Drejtësisë dhe rrjedhimisht edhe i Qeverisë së Republikës së Kosovës, andaj ju ftoj për aprovim të këtij propozimi”.
Në këtë mbledhje gjithashtu është marrë vendim, me propozim të ministrit Selimi për zëvendësimin e përfaqësuesit të Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, përkatësisht emërimin e përfaqësuesit të Departamentit për Drejtësi Tranzicionale si njësi pasuese e Institutit për Hulumtime të Krimeve të Luftës, në Komisionin Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të dhunuar gjatë Luftës, raporton EO.
“Paraqes para jush për shqyrtim dhe aprovim propozim – Vendimin e Ministrisë së Drejtësisë për ndryshim dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr.06/143 të datës 28.04.2017, përkitazi me zëvendësimin e përfaqësuesit të Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, përkatësisht emërimin e përfaqësuesit të Departamentit për Drejtësi Tranzicionale si njësi pasuese e Institutit për Hulumtime të Krimeve të Luftës, në Komisionin Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës”.
“Propozimi bazohet në nenin 8, paragrafi 11, nën paragrafi 11.5 të Ligji Nr. 04/L-172 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-054 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave të dhunës seksuale të luftës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre, andaj me qellim që komisioni të jetë i plotë dhe funksional ju ftoj për aprovim të këtë propozim – vendimi”.