Më 10 prill të këtij viti në Qendrën përkujtimore “Bllaca 99” në Han të Elezit do të inaugurohet Muri i Kujtesës dhe parku “Hasan Prishtina”, në kujtim të vuajtjeve të shqiptarëve të dëbuar nga vatrat e tyre nga regjimi serb në vitin 1999.
Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate nga Shoqata për kthimin e shqiptarëve të shpërngulur.
“Një mozaik që simbolizon sakrificën e nënës shqiptare, bashkë me emrat e disa prej personaliteteve të shquara botërore që kontribuuan në çlirimin e Kosovës, do të jenë pjesë integrale e Murit të Kujtesës, një vepër kjo artistike-monumentale që do të shprehë më së miri kujtimin dhe respektin për të gjithë ata që sollën lirinë dhe pavarësinë e shumëpritur”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu, me këtë rast është paralajmëruar edhe pjesëmarrja e personaliteteve të shquara shtetërore e institucionale nga Prishtina, Shkupi e Tirana.
Këshillin organizativ të këtij inaugurimi e përbëjnë ITSHKSH në Shkup, me drejtor Dr. Skender ASANI dhe Shoqata për kthimin e shqiptarëve të shpërngulur me Jahja Llukën, kryetar.