Ende është duke vazhduar seanca e tretë për ecurinë e rastit ndaj ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimatare të Kosovës, Pjetër Shala, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Gjatë kësaj seance u vendos që seanca e radhës të mbahet më 13 shtator.
Kjo datë ishe e përshtatshme për prokurorin mirëpo jo edhe për mbrojtjen e Shalës pasi avokati i tij, Jean-Louis Gillissen, kërkoi që seanca tjetër të mbahen në pjesën e dytë të shtatorit pasi do të ketë një ndërhyrje shëndetësore.
Gjyqtari paraprak i procedurës, Nicolas Guillou, bëri të ditur se dhoma e seancave nuk mund të jetë e lirë kurdo që kërkon mbrotja veçse në rast se do të ketë ndryshime rreth datës do të informohen.
Avokati i Shalës mes tjerash tha se nxjerrja e materialeve po vazhdon pa probleme.
“Procesi i nxjerrjes së materialeve është zhvilluar dhe ka ecur pa probleme fare, me dashamirësi do ta theksoja këtë aspekt. Na është konfirmuar se nxjerrja e materialeve sipas një rregulle, është plotësuar. Kemi kërkuar sqarime në disa video ku përfshihet i akuzuari”, ka thënë ai.
Kujtojmë se Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte të pretenduara si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt teksa në seancën e parë, e cila ishte mbajtur në muajin prill, Pjetër Shala u deklarua i pafajshëm.