Kosova e dhjetorit 1991 ishte Kosova e cila përfundimisht e dominuar nga ajo që quhej lëvizje paqësore (e cila në të vërtetë pak kishte të bënte me rezistencë paqësore, ajo ishte më tepër një lëvizje pasive në pritje të ndihmës imagjinare) kishte pranuar nënshtrimin para dhunës së vazhdueshme të pushtetit fashist të Millosheviqit.
Pushteti serb atë vit na dëboi edhe nga shkollat dhe Kosovën e vendosi në një gjendje të pushtimit klasik.
Andaj lajmet që erdhën nga Prekazi e Drenica më 30 dhjetor të vitit 1991 se një familje ia kishte kthyer pushkën policisë serbe dhe se me qindra të tjerë, me aq sa kishin, e ndonjëherë edhe pa armë fare, ishin nisur të ndihmonin familjen e rrethuar, ne disa djemve të rinj, në vitin e 3-të të Gjimnazit “Sami Frashëri”, ku nuk na linin të vazhdonim mësimin, na e ngriti moralin dhe na tregoi se shpirti i rezistencës edhe pse dukej i fjetur nuk kishte vdekur.
Kishte kohë, që nga viti i parë, që ne ishim të bindur se vetëm rruga e luftës së armatosur do ta sjelltë lirinë
Sigurisht në zallamahinë e politikës nënshtruese të atyre viteve ne ndjeheshim pakicë por njëkohësisht kishim besimin e madh në drejtësinë e asaj që mendonim se ishte e pashmangshme. Informatat për ngjarjet e Prekazit në Prishtinë vazhdonin të vinin në formë legjende e si nëpër mjegull.
Askush nuk ishte në gjendje të tregonte tërë tablonë e ngjarjeve. Njëherë për shkak të mungesës së informatave, por herën tjetër sepse kishte tendencë të minimizohej rezistenca dhe të mos ndikohej opinioni që ajo të përhapej kudo nëpër Kosovë.
Por kjo mjegull e mungesë informatash veç e rrisnin fuqinë e rezistencës në sytë tanë dhe të popullit. Vërtetohej se liria nuk fitohet pa luftë. Ne në debatet e çdoditshme nga u shtua edhe një argument. Serbia mund të luftohet, ndaj Serbisë mund të rezistohet.
Pas kësaj dite, ditët e rënda të pushtimit vazhduan, më të rënda e më nënçmuese për dinjitetin tonë si njerëz dhe si popull. Politika pacifiste degradohej çdo ditë.
Por fara e hedhur atë ditë të ftohtë të 30 dhjetorit 1991 në Prekaz, filloi të rritej. Rezistenca e armatosur kishte filluar të marrë rrugë. Prapë si nëpër legjenda, por jo më nëpër mjegull çdo herë e më shumë filluan të vinin në jetët tona emrat e Shaban, Adem e Hamëz Jasharit.
Këta emra që erdhën për të mbetur jo vetëm në jetët tona, por edhe në historinë e përjetshme të kombi shqiptar dhe të tërë njerëzimit. Pjesa tjetër është histori!
Të nderuar bashkëluftëtarë, kokën lartë e krenar për çdo gjë që keni bërë për lirinë e Kosovës.
Urime Dita e Veteranëve.
Lavdi dëshmorëve dhe luftës së UÇK-së!