I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe ai i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, kanë mbërritur në ndërtesën e Qeverisë për t’u takuar me kryeministrin Albin Kurti, raporton Ekonomia Online.
Kjo vizitë po zhvillohet në një kohë kur situata në veri të Kosovës mbetet e tensionuar për shkak të protestave të serbëve, që pasuan hyrjen e kryetarëve të zgjedhur shqiptarë të shoqëruar nga forcat e policisë.
Takimi Kurti-Escobar-Lajçak ishte planifikuar të niste në ora 20:00, por ai është shtyrë për gjysmë ore pasi kryeministri Albin Kurti ndodhej në stadiumin ‘’Fadil Vokrri’’, duke ndjekur ndeshjen për Kupën e Kosovës.
Vizita e Lajçakut dhe Escobarit në Kosovë po përcillet edhe nga një numër i medieve të huaja.
BE-ja përmes një deklarate ka kërkuar që sa më parë të shpallen zgjedhjet e parakohshme në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse.