I emëruar selektor i Kosovës një vit më parë, legjenda franceze, Alain Giresse e ëndërron kualifikimin e këtij vendi të vogël në Euro 2024. Një sfidë jo aq absurde dhe e pamundur
Ishte një fillim i spërkatur me anonimitet.
Është e vërtetë se një ndeshje miqësore kundër Burkina Fasos, një të enjte në orën 18:00, nuk do t’i mbushte tribunat modeste në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës.
Megjithatë, pikërisht këtu Alain Giresse e arriti fitoren e parë (5:0) si trajner i këtij vendi të vogël dhe ish-ballkanik, e nis shkrimin për Kosovën mediumi i njohur francez “Le Figaro”, përcjell “Gazeta Express”.
Ndeshja e fatit: ndeshja u luajt në stadiumin Fadil Vokrri, me emrin e ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, i cili kur ishte më i ri, tundi rrjetat në Francë, duke veshur fanellën e Nimes, Bourges dhe Montluçon në fillim të viteve ’90.
Kështu, u plotësuan kushtet që një legjendë e futbollit francez si Alain Giresse të vendosej në Kosovë, një Kombëtare e cila tashmë i ishte afruar atij midis 2013 dhe 2014, kur ai drejtonte Senegalin.
Kampioni i Evropës i vitit 1984 me “Les Bleus” (47 paraqitje, 6 gola), anëtar i ekipit magjik me Jean Tigana, Michel Platini dhe Bernard Genghini (atëherë Luis Fernandez), vendosi ta niste një eksperiencë të re me “Dardanët”.
Shumë njerëz e kanë të vështirë ta identifikojnë gjeografikisht Kosovën.
“Shumë njerëz e kanë të vështirë ta identifikojnë gjeografikisht Kosovën”, shkruan tutje mediumi francez, duke iu referuar një deklarate më të hershme të Giresse.
Është një sfidë origjinale, edhe pse jo aq për të, por megjithatë Giresse e pranoi.
Legjenda e Girondins de Bordeaux (592 ndeshje dhe 181 gola, rekord i këtij klubi) është marrë vazhdimisht me punën në Kombëtare që nga viti 2004, nga Gjeorgjia në Tunizi nëpërmjet Gabonit, Malit dhe Senegalit.
“Kosova, jo më e madhe se “Île-de-France” dhe statusi territorial i së cilës mbetet i paqartë deri më sot, priti deri në janar të vitit 2014 që ekipi i saj i futbollit të njihej nga FIFA dhe deri në maj 2016 të bëhej anëtar e UEFA-s”, vazhdon shkrimi.
As komponimi i përzgjedhjes nuk është i lehtë.
“Nëse shumica e lojtarëve të ‘Les Bleus’ nuk luajnë në Francë, ata e kanë një dukshmëri që e lejon selektorin Deschamps t’i ndjekë aa. Për Kosovën është me e komplikuar”, shton Giresse, disa prej lojtarëve të së cilit luajnë në Hungari, në Shqipëri, në Slloveni apo në ligën e dytë të Gjermanisë.
Nuk është e lehtë t’i bindësh lojtarët për ta pranuar Kosovën
E problemeve të lartcekura duhet shtuar edhe kompleksitetin e një vendi të kohëve të fundit, i cili mbështetet mbi të gjitha tek emigrantët.
Për “Le Quotidien du Sport”, Giresse e ka marrë shembullin e Diant Ramaj, portier zëvendësues i Frankfurtit, i lindur në vitin 2001 në Stuttgart.
“Ai është me origjinë nga Kosova, por në ekipet e të rinjve është një përfaqësues gjerman. Ka shumë si ai. Nuk është e lehtë t’i bindësh t’i veshin ngjyrat e vendit të tyre të origjinës”.
Giresse, i cili ka kaluar më shumë se dhjetë vjet si trajner i ekipeve afrikane, e di mirë se për çfarë po flet.
Të shkosh në Euro 2024 është ende një ëndërr e realizuar
Krejt këto nuk e dekurajojnë ish-mesfushorin francez, i cili mbështetet në elementë të Ligue 1 franceze si Edon Zhegrova (Lille) e Arbër Zeneli (Reims), apo lojtarë të dëshmuar si Amir Rrahmani (Napoli) apo edhe Milot Rashica (Galatasaray).
Kosova ka kaluar nga një embrion futbolli në vitin 2017 (e 177-ta në renditjen e FIFA-s) në një “kombëtare të vogël” të thjeshtë (vendi i 107-të).
“Duhet të ecim përpara, të përparojmë, të ndërtojmë”, përsërit Giresse gjatë intervistave.
“Të shkosh në Euro 2024 është ende një ëndërr”, kishte thënë Giresse gjashtë muaj më parë.
Një ëndërr që mund të marrë formë, sepse shorti i kualifikimeve rezultoi “i butë”, përcjell “Gazeta Express”.
Përveç Zvicrës, favorite e Grupit I, janë edhe Rumania (numër 52 në FIFA-s), Izraeli (76), Bjellorusia (97) dhe Andorra (153).
Me barazimin në Izrael të shtunën e kaluar (1-1), Kosova e mori pikën e parë dhe të vlefshme para se ta presë Andorrën në Prishtinë sonte (20:45).
2 milionë banorët e vendit do të jenë aty sonte, për t’u përkrahur djelmoshat “Dardanë”.