Është përuruar sot president i Turqisë, përmes një ceremonie pompoze Rexhep Tajip Erdogan.
Në imazhet e publikuara nga mediat turke u panë qytetarë të shumtë në rrugë, teksa përshëndetën presidentin duke hedhur karafilë dhe petale lulesh në drejtim të automjetit të tij. Në një fjalim për reporterët pas betimit në Parlament, Erdogan tha: “Çdo gjë ishte mirë para popullit. Shpresoj që edhe në të ardhmen do të jetë mirë”.
22 krerë shtetesh, dhe 28 kryeministra, mes të cilëve dhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, e presidenti kosovar, Hahsim Thaçi, janë të pranishëm në ceremoninë zyrtare të përurimit.
Mësohet se presidenca ka rezervuar një darkë në shenjë falënderimi për liderët pjesëmarrës. Në orët në vijim presidenti me kompetenca ekzekutive pritet të prezantojë kabinetin e ri. Kujtojmë që Erdogan fitoi shumicën dërrmuese në zgjedhjet e 24 qershorit, duke mposhtur bindshëm rivalin e tij Muharrem Ince.
Më 16 prill të vitit 2017, Turqia mbajti një referendum që kërkoi nga votuesit të vendosin për ndryshime kushtetuese në 18 nene për të kaluar nga sistemi parlamentar në sistem presidencial. Ndryshimet janë kritikuar fuqishëm nga zërat opozitarë dhe ndërkombëtarët, që mendojnë se Turqia po shkon drejt diktaturës.