Më e mira e Evropianit ndaj përfaqësueses që nuk dorëzohet

Prishtinë | 13 Kor 2024 | 13:54 | Nga Ekonomia Online

Njëra është përfaqësuesja më e mirë e turneut dhe është në prag për të shënuar sukses të ri falë tinejxherit të shkëlqyer, mesfushës së jashtëzakonshme dhe ndryshimeve në filozofi të lojës.

Ekipi tjetër ka mbijetuar, ka çaluar dhe ka dhuruar momente në fund, por nuk është dorëzuar. E ka në thumb të kritikave përzgjedhësin, i cili e ka një tjetër shans për ta përfunduar pritjen shumë të gjatë për një trofe madhor.

Finalja e Kampionatit Evropian ndërmjet Spanjës dhe Anglisë, të dielën, është e mbushur me tregime, por njëri është mbi të gjitha.

Brenda “Olympiastadion”, vendit historik në Berlin, të ndërtuar nga nazistët për Lojërat Olimpike 1936, Lamine Yamal – një ditë pas ditëlindjes së 17-të – do të mundohet që të konfirmohet si ylli më i ri i futbollit duke e udhëhequr Spanjën drejt trofeut të parë që prej periudhës 2008-2012, kur fitoi Evropian Botëror e Evropian të njëpasnjëshëm.

Yamali ka qenë shkëlqimi i turneut ku shumë figura të profilit të lartë si Cristiano Ronaldo, Kylian Mbappe, apo edhe Harry Kane i Anglisë, kanë dështuar. Nëse tri asistimet para gjysmëfinales ishin tregues se ai është padyshim futbollist premtues, gjuajtja spektakulare e Yamalit në fitoren 2:1 ndaj Francës në gjysmëfinale, ishte sinjal se ylli i ri ka arritur.

“Ai është talent gjeneratash”, ka thënë sulmuesi Ollie Watkins të premten për Yamalin. “Ai e ka gjithë botën në këmbët e tij”.

Përderisa Yamali dhe Nico Williamsi i ofruan ekipit të tyre përfaqësues lojën që i mungonte në krah, është qendra e mesfushës që i ka dhënë Spanjës avantazhin ndaj gjithë kundërshtarëve.

Rodri, që në krahasim me të tjerët, ndoshta është futbollisti më efektiv në botë, dhe Fabian Ruizi, janë boshti i skuadrës në të cilët mbështetet Spanja. Dani Olmo iu është bashkuar atyre në mesfushë, duke i bërë më të rrezikshmit deri tani. Këtë treshe të lojtarëve, Anglia do të ketë problem që ta ndalë.

Spanja ishte në krye të grupit ku ishte kampionia në fuqi e turneut, Italia, dhe gjysmëfinalistja e Kupës së Botës 2022, Kroacia, para se ta eliminonte nikoqiren, Gjermaninë, dhe Francën e Kylian Mbappes, për shumëkënd, favoriten e Evropianit.

“La Roja” ka gjashtë fitore rresht. Nuk ka dyshim se pse spanjollët po favorizohen para finales.

“Spanja ka qenë skuadra më e mirë”, ka thënë selektori i Anglisë, Gareth Southgate. “Por, ne jemi këtu dhe për atë që kemi treguar deri tani kemi shanse po aq të mira sa spanjollët”.

Në fakt, Spanja nuk duhet që ta nënvlerësojë Anglinë, këmbëngulja dhe karakteri i së cilës ka qenë mbi kualitetin e lojës në “Euro 2024”. Përfaqësuesja e shtetit me më së shumti futbollistë të talentuar për 20 vjet, nuk pati paraqitje të mira, është dukur jo e balancuar, me pak ide dhe në shumë raste shumë e lodhur. Megjithatë, disi ia ka arritur që të shkojë deri në finalen e dytë rresht të Kampionatit Evropian.

Tre vjet më parë, Anglia humbi nga Italia pas ekzekutimit të penalltive në vendin e vet, në “Wembley”, duke e vazhduar pritjen e dhimbshme të vendit ku u lind futbolli. I pari dhe i vetmi trofe i rëndësishëm i Anglisë erdhi në Kupën e Botës në vitin 1966.

Ekipi i Southgatet është kthyer në ndeshjen për titull – të parin jashtë Anglisë. “Tre Luanët” e kanë potencialin për ta fituar trofeun e çmuar, pasi në radhët e veta kanë lojtarë si Jude Bellingham, Phil Foden, Bukayo Saka dhe Kane. Ndonjëri, gjithmonë është shfaqur me ndonjë gol vendimtar. Bellinghami shënoi në kohën shtesë për ta barazuar rezultatin ndaj Sllovakisë, në një të tetën e finales. Saka shënoi në minutën e 80-të në barazimin e rezultatit ndaj Zvicrës në çerekfinale, ndërsa sulmuesi rezervist, Watkins, në minutën e 90-të, kishte shënuar për golin e fitores së madhe të Anglisë ndaj Holandës në gjysmëfinale.

Kush do të dalë shpëtues i Southgatet të dielën, nëse do të ketë nevojë për një gjë të tillë?

“Anglezët janë në gjendje të shkaktojnë probleme, edhe pa luajtur në mënyrë të rrjedhshme”, ka thënë mbrojtësi i Spanjës, Dani Vivian. “Por ata e kanë kualitetin që i bën të aftë për t’i shfaqur ato shkëndija”.

Nëse fiton Spanja edhe në ndeshjen e shtatë rresht, do të ishte trofeu i katërt i Kampionatit Evropian.

Do të ishte fundi i një turneu ku vetëm pak skuadra arritën që t’i bënin ballë Spanjës, që ka shfaqur futboll sulmues pa kursyer asgjë, me posedimin e topit, që ishte parë vetëm kur ishte arritur kulmi në finale të “Euro 2012”.

Në atë finale, ekipi me mesfushorët Xavi Hernandez, Andres Iniesta, Sergio Busquets, Xabi Alonso dhe David Silva, kishte fituar ndaj Italisë, 4:0.

Gjenerata e vitit 2024, ndoshta nuk i ka ata emra, por do të ishte pasardhëse e denjë.

Të ngjashme