Me iniciativë të banorëve ka filluar dezinfektimi i disa ndërtesave kolektive në Prishtinë, si masë parandaluese ndaj Coronavirusit.
Të premten janë parë ekipe që po dezinfektojnë hapësirat publike në lagjen “Arbëria”, përkatësisht në kompleksin “Tregtia”.
Qytetarët kanë dërguar fotografi në redaksinë e Ekonomia Online, ku shihet se po dezinfektohen korridoret dhe hapësirat e tjera të përbashkëta, sikurse dhe këndi i lojërave për fëmijë.
Aksioni është marrë me iniciativë të Këshillit të Banorëve. “Do të dezinfektohen hyrjet, korridoret në katin 0, liftat, hapësira afër liftave në garazhe dhe këndi i lojërave”, ka treguar një përfaqësues i Këshillit.
“Ju lutemi për kujdes, minimizoni lëvizjet ose evitoni brenda kësaj kohe me qëllim të mos pengohet procesi”.
“Duke e kuptuar seriozitetin e situatës, ju bëjme thirrje që, pa frikë, por me kujdes të shtuar, të jemi maksimalisht të kujdesshëm dhe të ruajmë shëndetin e njëri-tjetrit”, është thirrja e postuar në faqen e përbashkët të banorëve në Facebook.