“Më jep lekët dhe dil jashtë”, si u vra nga i afërmi i sapo kthyeri nga Anglia në Shkodër, i kishte dhënë banesën me qira

Prishtinë | 02 Maj 2023 | 17:19 | Nga Ekonomia Online

51-vjeçari Petrit Vuksani, u vra me armë zjarri mesditën e të martës në banesën e tij në lagjen “Tom Kola” në Shkodër.

Autori i ngjarjes së rëndë, është Lekë Vuksani, qiraxhiu i viktimës. Dyshohet se shkak për vrasjen është bërë çështja e pagesës.

Petrit Vuksani jeton prej vitesh jashtë shtetit. Para 1 muaji ishte kthyer në Shkodër nga Anglia. Banesën ia kishte dhënë me qira Lekë Vuksanit, të afërmit të tij. Pasi është kthyer i ka shkuar në banesë autorit për t’i kërkuar lekët e qirasë.

Krahas parave të qirasë së disa muajve, viktima i ka kërkuar autorit dhe që t’ja lirojë banesën, por ky i fundit ka debatuar me të. Pas konfliktit të vazhdueshëm, Lekë Vuksani është larguar nga shtëpia, duke u rikthyer me një armë zjarri. Autori i dyshuar është futur në banese dhe e ka gjetur të vetëm qiradhënësin, duke e qëlluar për vdekje.

Policia është vënë në ndjekje të autorit të ngjarjes dhe po mundohet që edhe me pamjet e kamerave të sigurisë të rindërtojë itinerarin e largimit nga banesa, për të bërë të mundur lokalizimin dhe arrestimin e tij.

“Falë reagimit në kohë të Policisë dhe veprimeve të shpejta profesionale hetimore, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit P. V. Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorit të dyshuar, shtetasit L. V., i cili dyshohet se ka vrarë me armë zjarri automatik shtetasin P. V. Vijon ndjekja dhe krehja e zonës, me qëllim kapjen e shtetasit L. V”, njofton policia.

Të ngjashme