Me kërkesë të avokatëve mbrojtës, ndërpritet seanca në rastin “Patentë shoferët”

Prishtinë | 13 Sht 2024 | 13:53 | Nga Ekonomia Online

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si “Patentë shoferët”, është ndërprerë seanca e planifikuar të mbahej në ditën e sotme, pasi që mbrojtësit e të akuzuarve kanë kërkuar t’u dorëzohet deklarata e dëshmitares bashkëpunuese, Filiz Krasniqi.

Para se të fillohej me dëshminë e dëshmitares bashkëpunuese, Filiz Krasniqi, mbrojtësi i të akuzuarit Naser Llugaliu, avokati Hamdi Ibrahimi kërkoi nga gjykata që të sqarojë se si është shpallur dhe në cilat dispozita ligjore është bazuar vendimi, që dëshmtarja Filiz Krasniqi të shpallet dëshmitare bashkëpunuese.

Gjithashtu Ibrahimi tha që Kodi i Procedurës Penale i cili ishte në fuqi në kohën kur është ngritur aktakuza, nuk ka lejuar që një person i cili është në pozitën e menaxherit dhe kur në rastin e njëjtë përfshihen së paku dy persona që janë nën vartësinë e tij apo saj, nuk mund të ketë statusin e dëshmitarit bashkëpunues.

Poashtu avokati Hamdi Ibrahimi kërkoi që dëshminë e mbyllur të dëshmitares bashkëpunuese Filiz Krasniqi, gjykata ta dorëzojë tek të gjithë mbrojtësit dhe të shfuqizohet urdhëresa që siguron mbylljen e deklaratës të kësaj dëshmitare.

Lidhur me këtë kërkesë të avokatit Ibrahimi, prokurori Eset Rama deklaroi që nëse gjykata vendos ta revokojë këtë urdhër i cili siguronte mbylljen e deklaratës të dëshmitares Filiz Krasniqi, atëherë ata janë të gatshëm që ta dorëzojnë tek të gjithë mbrojtësit këtë deklaratë.

Poashtu mbrojtësi i të akuzuarit Dritmir Islami, avokat Flakron Sylejmani deklaroi që javën e kaluar janë pajisur me deklaratën e dëshmitares bashkëpunuese, por nuk janë pajisur me kopjen e urdhërit të veçantë që dëshmitarja është shpallur dëshmitare bashkëpunuese.

Tutje, trupi gjykues morri aktvendim që të aprovohet propozimi i mbrojtëseve, që të hapet për mbrojtësit deklarata e dëshmitares bashkëpunuese Filiz Krasniqi dhe e njëjta të ju dërgohet atyre.
Në këto rrethana mbrojtësi i të akuzuarit, Besfort Pozhegu, avokati Besnik Berisha, kishte kritika për kushtet në sallën e gjykimit dhe i njëjti kërkoi që seanca e sotme të shtyhet dhe mbrojtësve t’iu lejohet, sipas tij, ta bëjnë punën siç duhet dhe t’i analizojnë të gjitha shkresat.

Poashtu edhe avokati Hamdi Ibrahimi deklaroi se duhet kohë për t’u analizuar kjo deklaratë, duke kërkuar nga gjykata që kjo seancë të ndërpritet.

Në fund të seancës kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dërmaku obligoi prokurorin e shtetit që mbrojtësit t’i pajisë me shkresa.

“Obligohet prokurori i shtetit, që mbrojtësit ti pajis me të gjitha deklaratat e dëshmitarëve bashkëpunues si dhe urdhërin dhe procesverbalin e shpalljes së këtyre dëshmitarëve bashkëpunues” tha Dërmaku.

Në seancën e 14 qershorit 2023, të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për akuzën e ngritur më 31 mars 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë. Në këtë rast, për korrupsion dhe vepra tjera penale akuzohen: Naser Llugaliu, Filloreta Ajvazi, Flora Ferizi, Adem Binakaj, Leurat Shehu, Agim Restelica, Flamur Lekaj, Shaban Zuka, Eduard Brahimaj, Dragan Zhivkoviq, Naser Bislimi, Azem Miftari, Labinot Ajeti, Magbule Mehmeti, Avdush Topalli, Pemtim Topallli, Selim Rrustemi, Fatos Ferizi, Besfort Pozhegu, Naim Thaqi, Sylë Bejta, Ekrem Latifi, Dritmir Islami, Murtez Rama, Hasan Hasani, Milazim Demolli, Lindita Hoxha, si dhe Enver Fazliu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të ngjashme