Me kërkesë të avokatit, shtyhet gjykimi ndaj zyrtarit policor të akuzuar për marrje ryshfeti

| 10 Tet 2022 | 11:40 | Nga

Me kërkesë të mbrojtësit të zyrtarit policer Goran Dimitrijeviq, avokatit Millosh Deleviq, është shtyrë seanca e së hënës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

Dimitrijeviq po akuzohet se në vitin 2016 në vendkalimin kufitar në Jarinje, Komuna e Leposaviqit, ia kishte marrë 2 mijë dinarë ryshfet të dëmtuarit Radula Vukajloviq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Veljko Vuqetiq tha se paraprakisht i ka njoftuar të gjitha palët për shtyrjen e seancës së sotme.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 27 nëntor 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Goran Dimitrijeviq, me arsyetimin se më 27 shkurt 2016, në vendkalimin kufitar në Jarinje, Komuna e Leposaviqit, tek sporteli i regjistrimit të udhëtarëve, derisa i dëmtuari Radula Vukajloviq, duke drejtuar automjetin e markës “Mercedes” nga Republika e Serbisë për në Republikën e Kosovës, ishte ndalë në mënyrë të rregullt në vendkalim dhe i ka dorëzuar dokumentet në sportel tek zyrtari policor, Radoje Anxhelkoviq dhe kur i dëmtuari e kishte paralajmëruar se bashkëshortes së tij, i kishte kaluar afati i letërnjoftimit, atëherë dëshmitari Radoje Anxhelkoviq, e kishte thirrë kolegun e tij, tani të pandehurin Goran Dimitrijeviq.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri i kishte marrë dokumentet në dorë dhe kishte urdhëruar të dëmtuarin Vukajloviq që automjetin ta parkonte në vendparkim në anën e djathtë, pastaj kishte shkuar deri te kontejneri dhe ishte kthyer pas pesë minutash, duke ia kthyer dokumentet të dëmtuarit dhe duke i thënë “nuk mund të ndihmoj”, fjala ishte për dëshmitaren – bashkëshorten e të dëmtuarit që të kalojë me atë dokument, se kinse “shefi ka thënë se duhet diçka të qerasim”, atëherë i dëmtuari e kishte kuptuar se duhej të japë para në mënyrë që gruaja e tij të vazhdojë rrugën.

Sipas aktakuzës, i dëmtuari kishte dalë nga automjeti dhe në momentin kur i ka nxjerrë paratë për t`ia dhënë policit Goran Dimitrijeviq, ky i fundit i ka thënë me zë të ulët “mos i nxjerr paratë në vend të dukshëm”, pastaj së bashku me të dëmtuarin, siç thuhet në aktakuzë, kishin shkuar pas kontejnerit të fundit dhe atje i dëmtuari ia kishte dhënë policit-të pandehurit paratë në shumë prej 2 mijë dinarë, ku i pandehuri i kishte dhënë të dëmtuarit “mos i trego askujt se ke dhënë para dhe e ke kaluar në këtë vendkalim kufitar”.

Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Marrje e ryshfetit”, nga neni 428, paragrafi 1 i Kodit Penal, ku kryerësi dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. 

Të ngjashme