Me vendosjen e një pëlhure në hyrje të zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, grupi i aktivistëve “Replikë” ka protestuar për izolimin e kosovarëve si pasojë e mosliberalizimit të vizave.
“Bashkimi Evropian tash e një kohë është duke e larguar nga agjenda çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, edhe pse janë plotësuar të gjitha kriteret nga ana e Kosovës. Bashkimi Evropian përmes këtyre veprimeve po tregon qasje ksenofobike ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj, duke i diskriminuar dhe privuar nga lëvizja e lirë pa ndonjë arsye logjike dhe demokratike”, thuhet në njoftimin e “Replikës” për këtë aksion simbolik.
Vendosjen e kësaj pëlhure në hyrje të zyrës së BE-së në Kosovë, “Replikë” ka thënë se e ka bërë që zyrtarët e këtij institucioni të bashkëndjejnë e të reflektojnë për qytetarët e Kosovës, “të cilët padrejtësisht jemi të izoluar dhe të pabarabartë me personat e tjerë të kontinentit të Evropës”.
“Krejt bota është izoluar për shkak të pandemisë, kosovarët jemi të izoluar për shkak të BE-së. E para quhet virus, ndërsa e dyta ksenofobi”, është shkruar në pëlhurë.