“Me pension paguaj borxhet e djalit” – Bixhozi shkatërron familje në Mal të Zi

Prishtinë | 30 Kor 2023 | 15:55 | Nga Ekonomia Online

“Unë nuk i dhashë para për baste dhe ai më pas mori nga të afërmit. Ma mbajti fshehur derisa na erdhën njerëzit që u kishte gati 10 mijë euro borxh. Ma dhanë një afat për t’i kthyer. Mora hua nga të gjitha anët dhe tani i kthej nga pensioni. Ai nuk i ndaloi bastet”.

Kjo është Ivanka – emri i vërtetë i së cilës është i njohur për redaksinë e Radios Evropa e Lirë – nëna e një, siç shprehet vetë ajo, kumarxhiu të madh.

Të ardhurat e saj dhe të bashkëshortit, gjithashtu pensionist, nuk i kalojnë 500 euro. Djali i tyre është 32 vjeç, i papunë dhe ka nisur të luajë bixhoz 15 vjet më parë.

“Nuk do që të punojë. Nuk e di se nga kush merr [para] tani. Nuk mund t’i shoh në sy të afërmit nga turpi dhe jetoj me frikën se dikush do të shfaqet përsëri në derën tonë”, thotë kjo qytetare e Malit të Zi.

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik në këtë vend, të vitit 2020, një në dy 17-vjeçarë luan bixhoz.

Pikërisht për shkak të të rinjve që fillojnë të luajnë me parashikimet sportive që në moshë të vogël, koalicioni i Forumit Shqiptar, i cili pritet të jetë pjesë e Qeverisë së ardhshme të Malit të Zi, do të kërkojë nga partnerët e koalicionit mbylljen e kazinove dhe të pikave të basteve.

“Shumë prej tyre vënë bast sepse, përveç tjerash, objektet ku mund ta bëjnë këtë, janë lehtësisht të qasshme, madje edhe pranë shkollave”, thotë Nikollë Camaj nga Forumi Shqiptar.

Në Mal të Zi gjenden më shumë se 1.100 objekte për baste – shumica e të cilave janë në Podgoricë, gati 350.

Mbyllja eventuale e pikave të basteve nuk do të kishte efekt në afat të shkurtër, por në plan afatgjatë do ta ndihmonte luftën kundër kësaj dukurie, thotë psikologu malazez, Millan Radovanoviq.

Sipas tij, çelësi i zgjidhjes së problemit qëndron te parandalimi.

Autoriteti i Lojërave të Fatit thotë se me mbylljen e pikave të basteve, ato do të kalonin në zonën gri dhe do të kalonin në baste online.

Vitin e kaluar, bastet në Mal të Zi përfituan mbi 100 milionë euro, ndërsa shteti fitoi mbi 16 milionë euro nga ky “aktivitet”.

Çfarë thonë iniciatorët?

“Ne shohim pika bastesh në çdo hap. Edhe pranë shkollave. Janë lehtësisht të qasshme dhe të rinjtë i shohin ato si një mënyrë të lehtë për të fituar para”, thotë Camaj nga Forumi Shqiptar, programi i të cilit përfshin mbylljen e pikave të basteve.

Në komunën e Tuzit, ku ai jeton, gjenden nëntë pika bastesh.

“Pesëdhjetë metra larg gjimnazit gjendet një bastore. Rreth njëqind metra nga shkolla tjetër është një tjetër”, thotë Camaj.

Sipas Ligjit për lojërat e fatit, distanca e objekteve ku mund të vihen baste nga institucionet arsimore, nuk mund të jetë më e vogël se 250 metra.

Camaj thotë se është i vetëdijshëm se është e pamundur që të mbyllen qind për qind pikat e basteve.

“Unë i kuptoj ata që e kanë biznes dhe që përfitojnë prej tyre, por ne duhet të kujdesemi për popullatën, për fëmijët… Të rinjtë duhet ta dinë se ka mënyra më të mira për të fituar para, pa qenë në pika bastesh”, thotë Camaj.

Çfarë thonë ata që vënë bast?

“Unë luaj shumë në bastore. Mbyllja e këtyre objekteve do të më rrezikonte drejtpërdrejt, sepse fitoj shpesh. Tani do ta luaj çdo biletë sikur të ishte e fundit”, thotë me shaka Mitar, i cili nuk dëshiron t’i publikohet mbiemri.

Por, edhe me ton serioz thotë se do të vazhdojë të luajë, edhe nëse i mbyllin bastoret.

“Do të luaj në çdo platformë interneti”, thotë ai.

Ish-punonjësja e kazinosë: Kam parë se si fëmijët mbeten pa mëngjes, pa lodra…

Rreth 3.000 punëtorë janë të punësuar në pika bastesh, në kazino dhe në klube automatike në Mal të Zi.

Bast në një platformë online.

Jellena ishte një prej tyre me vite. Ajo punonte në një kazino në bregdetin e Malit të Zi.

Ajo thotë se gjatë asaj periudhe “ka parë gjithçka”.

“Nuk e di se si ta shpjegoj, por në momentin kur humbasin, sikur do ta jepnin jetën vetëm për të dalë, për t’i marrë paratë e tyre. Qëndronin deri në mëngjes. Kur humbin, mbajnë kokën me duar dhe pastaj fillojnë të ulërijnë se si i kanë shpenzuar të gjitha, se nuk do të kenë çfarë t’u japin fëmijëve të tyre për mëngjes, me çka t’u blejnë lodra”, thotë Jellena, identiteti i plotë i së cilës është i njohur për REL-in.

Në mesin e klientëve, rrëfen ajo, ka pasur nga ata me të ardhura mesatare, të cilët kanë lënë gjithë rrogën në kazino, si dhe “biznesmenë”.

“Disa prej tyre kanë lënë nga 15.000 apo 20.000 euro secili”, thotë Jellena.

Para kazinosë, ajo punoi edhe në një pikë bastesh në veri të Malit të Zi.

“Atje nuk ka pasur ndonjë situatë drastike, sepse njerëzit janë më të varfër. Por, e di që kanë marrë hua nga fajdexhinjtë dhe janë regjistruar në bastore… Unë nuk jam më në atë botë, por sinqerisht do të doja që të gjitha të mbylleshin. Janë një gjë e keqe”, thotë Jellena.

Radovanoviq: Basti është problem më i madh se sëmundja

Në Mal të Zi nuk ka ndonjë institucion zyrtar, ku trajtohen të varurit nga bixhozi.

Ata që e kanë këtë problem, i ndihmon këshillimorja Entera, në kuadër të organizatës joqeveritare Zid.

Milan Radovanoviq, psikolog.

Sipas psikologut Millan Radovanoviq nga Entera, iniciativa do të ketë efekt vetëm afatgjatë, sepse shërimi i mundshëm është një proces i gjatë dhe shumëvjeçar.

“Kur shfaqet varësia, është tepër vonë, sepse i varuri do të bëjë gjithçka për të luajtur bixhoz. Ata thonë: ‘Unë luaj bixhoz, pavarësisht nga pasojat’. Në fazën e fundit të sëmundjes thonë se nuk mund të jetojnë pa luajtur bixhoz”, shpjegon Radovanoviq.

“Bastet janë një problem i madh, më i madh se sëmundja. Faza e fundit është bixhozi patologjik, ku ata perceptojnë se bixhozi është aktiviteti i tyre i vetëm jetësor… Dhe ata do të rrezikojnë gjithçka vetëm për ta arritur këtë”, shton Radovanoviq.

Bixhozi, lojë apo sëmundje?

Psikologu Radovanoviq thotë se ekziston një kufi i hollë dhe shpesh i padukshëm mes lojërave të fatit për argëtim dhe varësisë.

Këtë e pohon edhe Ivanka.

“Në fillim, djali im më kërkoi një euro, dy… duke thënë ‘është qejf, është lojë’. Dhe ai fitonte… Herë merrte 10 euro, herë 20, 50… Kam gabuar, sepse i kam dhënë para. Dhe pastaj filloi të kërkonte më shumë”, thotë Ivanka.

Psikologu Radovanoviq thekson se kufiri kapërcehet në momentin kur një person nuk mund ta kontrollojë dëshirën për të luajtur bixhoz.

“Ata fillojnë të luajnë bixhoz gjithnjë e më shpesh dhe më pas investimet rriten, sepse investimet e vjetra nuk funksionojnë më për ta. Pamundësia për ta kontrolluar dëshirën dhe rritja e investimeve janë sinjale se gjërat kanë dalë jashtë kontrollit”, thotë Radovanoviq.

Keqkuptimi, qëndrimi jokritik dhe reklamimi janë probleme të mëdha që, sipas Radovanoviqit, kontribuojnë në këtë fenomen.

Sipas tij, lejimi i të miturve për të luajtur bixhoz, është një problem i madh.

“Është sekret publik që të miturit luajnë bixhoz. Ne kishim një forum prej 250 pjesëmarrësish, nga 15 vjeç. U kërkova të gjithëve që kishin përvojë në lojërat e fatit, të ngriheshin në këmbë. Vetëm rreth 30 prej tyre qëndruan ulur në karrige”, thotë Radovanoviq.

“Shoqëria e ka bërë të mundur që një fëmijë në moshën 15-vjeçare ose më të vogël, të largohet nga një pushim i gjatë shkollor dhe të luajë bixhoz. Kjo nuk duhet të ndodhë”, thekson ai.

Sa është fitimi i shtetit nga pikat e basteve?

Mbyllja e pikave të basteve, të klubeve automatike dhe të kazinove në Mal të Zi nuk është e realizueshme në mënyrën që kërkon Forumi Shqiptar, sepse shumë kompani kanë koncesion për organizimin e lojërave të fatit, thonë në Administratën e Lojërave të Fatit.

Koncesionet, thonë ata, nuk mund të ndërpriten pa e dëmtuar shtetin.

“Shoqatave që u është dhënë koncesioni për organizimin e lojërave të fatit… ai nuk mund t’iu hiqet deri në skadimin e afatit. Nëse do të hiqej para përfundimit të periudhës për të cilën është marrë, shteti do të duhet t’i kompensojë koncesionarët për fitimin e humbur”, thekson Administrata.

Mali i Zi, nga lojërat e fatit në vitin 2021, ka fituar mbi 14 milionë euro, ndërsa në vitin 2022 mbi 16 milionë.

Në Mal të Zi, lojërat e fatit rregullohen me një ligj të gati dy dekadave më parë.

Përse Shqipëria i mbylli kazinotë?

Administrata e Lojërave të Fatit në Mal të Zi përmend Shqipërinë, ku lojërat e fatit janë zhvendosur në një zonë gri, për shkak të mbylljes së kazinove.

Në vitin 2019, në Shqipëri ka hyrë në fuqi ligji për ndalimin e lojërave të fatit, i cili ka mbyllur 4.300 pika bastesh. Ky vend ka lejuar baste vetëm në hotelet me pesë yje, jashtë zonave urbane.

Statistikat tregojnë se në Shqipëri – vend me rreth 2.8 milionë banorë – për çdo 670 banorë ka pasur një bastvënës, gjë që e ka detyruar shtetin t’i ndalojë lojërat e fatit.

Një anketë e Qendrës Evropiane për Monitorimin e Drogave dhe Varësisë nga Drogat, në vitin 2019, përfshiu të rinj të moshës 15 deri në 16 vjeç nga 35 vende. Si rezultat, norma më e lartë e nxënësve me përvojë në lojërat e fatit doli të ishte Greqi dhe Qipro (33 për qind), e ndjekur nga Mali i Zi (32 për qind).

Edhe Kosova ndaloi lojërat e fatit

Në maj të vitit 2019, në Kosovë ka hyrë në fuqi Ligji për ndalimin e lojërave të fatit, i cili ndalon funksionimin e bizneseve të lojërave të fatit për 10 vjet.

Ligji është propozuar nga Qeveria e atëhershme e Kosovës, kurse është miratuar në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës në mars të atij viti.

Vendimi për mbylljen e lojërave të fatit është marrë pasi në dy kazino në qytete të ndryshme të Kosovës, janë vrarë dy persona.

Të ngjashme