Me rastin e Kërshëndellave, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i ka dërguar Ipeshkvit të Kosovës, Dodë Gjergjit, telegram urim, shkruan Ekonomia Online.
“Festat fetare te ne gjithherë kanë qenë momente që na kanë
bashkuar në të mirë, nga to kemi mësuar e kultivuar tolerancën, harmoninë, ndërgjegjësimin për paqen, respektin dhe dashurinë për tjetrin”, ka shkruar Tërnava.
Telegrami i plotë i Tërnavës drejtuar ipeshkvit Dodë Gjergjit:
Sot, me rastin e festës së Kërshëndellave, kam nderin e veçantë t’ju drejtohem me këtë mesazh urimi e përgëzimi Juve, meshtarëve tuaj, si dhe të gjithë vëllezërve të krishterë duke ju dëshiruar shëndet, mbarësi e lumturi.
Kërshëndella është moment i veçantë që simbolizon e përkujton lindjen, jetën e mbarësinë. Po ashtu kjo festë përçon në mënyrën më të mirë mesazhin për ndërtimin e shoqërisë së shëndoshë e humane.
Zotni Ipeshkëv, festat fetare te ne gjithherë kanë qenë momente që na kanë
bashkuar në të mirë, nga to kemi mësuar e kultivuar tolerancën, harmoninë, ndërgjegjësimin për paqen, respektin dhe dashurinë për tjetrin.
Zotni Ipeshkëv, nëpërmjet jush, uroj e përgëzoj edhe të gjithë praninë
ndërkombëtare katolike në Kosovë.
Duke ju përshëndetur, Ju dëshiroj shëndet, mbarësi e lumturi.