Koronavirusi po vazhdon të shpërndahet e të marrë më shumë jetë. Në Itali, më shumë po pësojnë burrat dhe sipas ekspertëve të qenit burrë është faktor rreziku për sëmundjen, njëjtë siç është mosha.
Italia po pasqyron trendin që ishte parë edhe në Kinë, ku burrat po vdesin më shumë se gratë shkaku i koronavirusit. Në Itali, më shumë burra janë infektuar se gratë. Por dallimi i numrave të vdekjeve të burrave dhe grave është më i lartë. Tetë për qind e pacientëve burra kanë vdekur, përderisa te gratë me fatalitet pësuan pesë për qind e pacienteve, sipas një analize të Institutit të Romës për Shëndetësi, që analizoi 25 mijë e 58 raste, shkruan “NYTimes”.
“Të qenit burrë është faktor rreziku për koronavirusin, sikur të qenit i moshuar”, ka thënë Sabra Klein, shkencëtare që studion dallimet gjinore në infeksionet virale në Shkollën e Shëndetit Publik “Johns Hopkins”. “Njerëzit duhet të jenë të vetëdijshëm se ky është një model. Sikur të qenit i moshuar që nënkupton se keni rrezik më të madh, ashtu është edhe të qenit mashkull. Është faktor rreziku”.
Ajo ka thënë se kjo mund të jetë edhe për shkak se gratë kanë më shumë sisteme të fuqishme imune, transmeton Koha. Po ashtu është edhe fakti që burrat janë më shumë duhanpirës dhe i pastrojnë më pak duart.
58 për qind e 25 mijë rasteve me infeksion në Itali ishin burra ndërsa nga 1697 vdekjet nga ky raport 70 për qind ishin burra. Në Kinë, shkalla e vdekjes për burrat ishte 2.8 për qind, në krahasim me gratë që ishte 1.7. Raporti nuk kishte vënë re asnjë vdekje të njerëzve nën moshën 30-vjeçare dhe kishte pasur shumë pak vdekje në moshat mes 40 e 60-vjeçare.
Deri tash në botë janë infektuar më shumë se 275 mijë persona, ndërsa numri i vdekjeve ka kaluar mbi 11 mijë e 400.