Derisa të gjithë mësimdhënësit në Kosovë nëpërmjet grevës po kërkojnë rritjen e pagave, 24 të tillë në Fushë-Kosovë po kanë telashe t’i realizojnë të ardhurat mujore që u takojnë. Zyrtarët komunalë nëpërmjet konkursit të rregullt kanë angazhuar 10 mësimdhënës nga shtatori i vitit 2017 dhe 14 të tjerë nga shtatori i vitit të kaluar.
Por të gjithë këta vazhdojnë të mbesin jashtë listës së pagave. Drejtori për Arsim në këtë komunë, Islam Shabani, thotë se të njëjtit janë duke i paguar nëpërmjet përmbaruesit privat, shkruan sot Koha Ditore.
Por 14 mësimdhënësit e angazhuar vjet, janë me nga 1 e 2 paga mbrapa, krahasuar me mësimdhënësit e tjerë. Sipas tij, Ministria e Financave me Qarkoren e re buxhetore ua ka lejuar rritjen e numrit të mësimdhënësve për 22, por për shkak të mosmiratimit të buxhetit të Kosovës, ata ende janë jashtë listës së pagave.